Lajmet e fundit

Humbja e mbrëmshme në Prishtinë ndaj FC Larnes, ka trazuar "ujërat" në kampin e kampionëve të Kosovës në futboll.
FC Ballkani tashmë e sheh vetën goxha në rrezik për t'u eliminuar nga kualifikimet e Ligës së Konferencës, gjë që nuk i ka ndodhur asnjëherë që nga pjesmarrja e parë.
Suharekasit duhet të fitojnë me patjetër ndeshjen e kthimit në Belfast të Irlandës së Veriut, madje me dy gola diferencë, pasi triumfi minimal, siguron vetëm vazhdimet.
Në taborin e klubit që domonoi në tre vitet e fundit futbollin e Kosovës, nuk janë aspak të kënaqur me rezultatet e kampanjës evropiane. Fillimisht eliminimi në Ligën e Kampionëve nga një skuadër nga Andorra, pastaj kalimi me vështirësi i raundit të dytë në UECL kundrejt Hamrun Spartans të Maltës, kulmuan me humbjen në "Fadil Vokrri" prej një skuadre që hiç më larg se vitin e kaluar, "Xhebrailat" e kishin demolur 7-1 në dy ndeshje, njofton Klankosova.tv.
Situatat e tilla prodhojnë edhe alternativa se ku duhet ndërhyrë, prandaj nuk mungojnë as zërat për largimin e trajnerit, Ilir Daja. Tiranasi erdhi në Suharekë në fillim vitin 2022 dhe brenda dy vjet e gjysëm, me Ballkanin fitoi gjithçka. Tre herë kampion në Superligën e Kosovës, një herë fitues i Kupës së Kosovës por edhe i Superkupës. Pos kësaj, në dy edicione radhazi u bë pjesë e Grupeve të Konferencës Evropiane, duke shkruar histori për futbollin kosovar.
Por Daja po kritikohet tani jo vetëm për rezultatet, por edhe për lojën që skuadra e tij po e bënë. Ballkani nuk ka shumë tentime drejt portës, nuk është konkret në zonën kundërshtare dhe pranon gola lehtë, sidomos nga ndërprerjet.
Megjithatë edhe klubi (s')është treguar shumë i "mëshirshëm" me timonjerin e ekipit. Vetëm nga fundi i muajit maj kur u mbyll edicioni i kaluar, formacioni i kampionëve të Kosovës ka pësuar ndryshime drastike.
Plot pesë futbollistë të përbërjes së parë, nga kjo verë nuk janë më në dispozicion të trajnerit, apo thënë ndryshe boshti i skuadrës të sukseseve të mëdha, nuk është më. Nga formacioni startues u larguan: Lumbardh Dellova, Armend Thaqi, Lorenc Trashi, Edvin Kuç, Nazmi Gripshi, kruse nga muaji janar shkuan edhe Albin Berisha e Qëndrim Zyba.
Klubi ka afruar emra të rinj por a po mundet Ilir Daja t'i inkorporojë ata shpejtë, mbetet dilema e madhe.
Ballkani nuk ka kohë më për lëshime në Evropë, ndeshja e kthimit ndaj FC Larnes duhet fituar, në të kundërtën eliminimi nga Conference League, do t'i kushtonte edhe shumë miliona euro, raporton Klankosova.tv
Larne - Ballkani zhvillohet më 15 gusht, me fillim në orën 21:00!