Lajmet e fundit

Deti Mesdhe, ndonëse mbulon më pak se 1% të sipërfaqes oqeanike globale, mban mbi 7% të ndotjes me plastikë në botë, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP). Si një det pothuajse i mbyllur, me dalje të kufizuara në Oqeanin Atlantik dhe me një popullsi të dendur në brigje, Mesdheu kthehet në një kurth natyror për mbetjet, shkruan A2 CNN.
Studiuesit theksojnë se mbeturinat nuk nxirren në brigje apo plazhe turistike – përmes rrymave detare dhe gravitetit, ato përfundojnë në thellësi. Aty, për shkak të temperaturës së ulët dhe mungesës së dritës, plastika dekompozohet shumë ngadalë dhe mund të mbetet për shekuj me radhë, duke dëmtuar habitatet e faunës detare.
Shkencëtarët vunë re shenja të qarta se një pjesë e mbetjeve ishin hedhur qëllimisht nga anijet. Kjo ndodh shpesh për të shmangur kostot e përpunimit të mbetjeve në port, shkruan A2. Megjithëse traktati ndërkombëtar MARPOL ndalon hedhjen e mbetjeve në det, zbatimi real i këtij ligji është i dobët.
Pas publikimit të studimit, organizata ambientaliste si Greenpeace dhe Oceana kërkuan masa të menjëhershme. Ata propozojnë ndalimin total të çdo aktiviteti ndotës në zonat më të thella të Mesdheut. (A2 Televizion)