Lajmet e fundit

Mesfushori i Newcastle United dhe Italisë, Sandro Tonali, është dënuar edhe një herë për bastvënie, megjithëse këtë herë është pezulluar.
Tonali ka qenë jashtë fushave të blerta që nga tetori, kur ai u ndalua për 10 muaj nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin pasi pranoi një sërë shkeljesh të kodit të basteve të Federatës së Futbollit të Italisë, që përfshinte baste në ish-skuadrën e tij Milan, ndërsa ishte lojtar atje.
Tani, Federata e Futbollit e Anglisë i ka dhënë atij një dënim tjetër me kusht prej dy muajsh, i cili nuk do të hyjë në fuqi nëse nuk ndodhin shkelje të mëtejshme në sezonin 2024/25.
Ai gjithashtu është gjobitur me 20 mijë funte dhe është paralajmëruar nga FA për sjelljen e tij në të ardhmen.
“Mesfushori i Newcastle United, Sandro Tonali, është pezulluar me dy muaj nga një Komision Rregullator i pavarur, pasi ka deklaruar vetë shkeljen e rregullave të basteve të FA”, konfirmohet në një deklaratë të klubit.
“Ai gjithashtu është gjobitur me 20,000 funte dhe është paralajmëruar nga FA për sjelljen e tij në të ardhmen”.
“Periudha e ndalimit është pezulluar plotësisht për kohëzgjatjen e sezonit 2024/25, që do të thotë se ai do të jetë në dispozicion për t'u rikthyer në futbollin konkurrues pas përfundimit të një sanksioni ekzistues dhjetë mujor të vendosur nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) më 27 tetor 2023”.
“Siç pranohet nga FA në arsyet me shkrim të Komisionit të pavarur Rregullator, niveli i asistencës që Sandro ka dhënë duke u vetëreferuar dhe duke bashkëpunuar plotësisht me një hetim të mëpasshëm është i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë. Sandro e kishte pranuar lidhjen me aktivitetin e tij të basteve dhe e bëri këtë në rrethana kur nuk kishte prova të tjera për të mbështetur procedurat e sjelljes së keqe”.
Mesfushori italian do të jetë i lirë të rikthehet në futboll më 27 gusht 2024.