Në edicionin e dytë të festivalit të filmit “Bridge Film Festival” në Mitrovicë, do të marrë pjesë edhe aktori i njohur me prejardhje shqiptare, Marko Caka.
Ai ka luajtur përkrah yjeve të mëdhenj të kinematografisë botërore si Tom Hanks në “Bridge of Spies”, James Belushi në “Show Me a Hero”, Ben Affleck në “Batman v Superman: Dawn of Justice”, Geroge Clooney dhe Julia Roberts në “Money Monster”.
Djali nga Shkodra tërhoqi vëmendjen me rolin e tij në serialin e njohur “Boardwalk Empire”.
Gjithashtu ka aktruar edhe në filmin e shkurtër nga Martin Scorsese, “The Audition”, së bashku me Leonardo DiCaprio, Brad Pitt dhe Robert De Niro.
Organizatorja e këtij festivali, Nerimane Ferizi, ka folur për Klan Kosovën rreth mënyrës në të cilën u mundësua ardhja e tij në Mitrovicë.
“Duke ndjekur kinematografinë botërore, kam dëgjuar për sukseset e tij”.
“Pastaj e kam kontaktuar vetëm për ta provuar nëse do të pranonte”.
“Nuk besoja se do të merrja përgjigje”.
“Mirëpo, Marko Caka është i thjeshtë dhe shumë modest”.
“Pranoi që në momentin e parë”.
Para se ta bënte publike lajmin, organizatorja kishte shumë dyshime lidhur me ardhjen e tij.
“Edhe pse ai e konfirmoi ardhjen e tij në festival, unë prapë kisha dyshime”.
“Gjatë kohës e kam pyetur nëse ka ndryshuar diçka në agjendën e tij”.
Por, ajo mori përgjigje drejtpërdrejt nga Caka, i cili tha se tashmë kjo ishte një punë e kryer, transmeton Klan Kosovën.
“Unë e kam rezervuar biletën”.
“Shihemi më 16 shtator në Mitrovicë”, i kishte thënë Caka.