Le ta nisim bisedën me momentin kur e shkruara lind si ndjesi e brendshme… Ju kujtohet?
Më kujtohet vagullt… Duhet të kem qenë në vitin e parë në gjimnaz… (Më herët, në tetëvjeçare, shkruaja hartime për gjimnazistët që nuk dinin të bënin hartime, por kjo nuk llogaritet, pasi nuk më vinte fare si ndjesi e brendshme, por si një bezdi…)
Pra, isha në vit të parë dhe, gjithandej kishte bulëzuar një pranverë e harlisur. Shihja sythet e pemëve gati për të çelur lule dhe mahnitesha, thua se deri atëherë nuk e kisha vënë re që pemët dinin të çelnin ashtu, që ato dinin të bënin art aq të përkorë. (Ku kishin qenë pemët më parë? Ku kisha qenë unë? Me shumë gjasa duke luajtur e duke vrarë gjunjët në oborrin e shkollës.)
E kështu, fillova të shkruaja ndonjë poezi.
Gjëja e parë që u binte në sy atyre që i lexonin, ishte fakti që poezitë qenë pa rimë, por aty kishte edhe shumë mendim për një adoleshente në një temë aq pranverore. Pastaj kjo u pasua edhe me një tjetër guxim “idiot”; për t’i botuar ato në një libër.
E sa mirë që qëllova me fat që atëherë, askush në familje nuk ma vuri veshin. Nëse poezitë do të qenë botuar, tani do më vinte turp prej tyre. (Familja ime ka qenë e “shkrimtarëve të mbetur në tentativë” meqë ra fjala, mua ndoshta më quanin edhe më pak se aq; “një tentativë, në tentativë”… besoj e keni parasysh kur je më e vogla e shtëpisë… dashuria e pakufi që merr nga të gjithë, shkon gjithmonë në përpjesëtim të zhdrejtë me marrjen seriozisht të unit tënd artistik).
Nga ajo ndjesi të shkruari, tani më ka mbetur diçka që është paksa e vështirë ta përshkruash me fjalë, çdo herë kur ëndrrat duan të më paralajmërojnë për diçka më shfaqen me të gjithë përkorësinë e tyre ato sythe të bardha. (E di, e di, jam e pashpresë, shoh ëndrra të pasofistikuara, njëlloj si personazhi i Begninit te filmi “Tigri dhe Dëbora”, jo si ato të sofistikuarat që shihte kolegu i tij…
Edhe pse po ta mendosh mirë, nuk ka sofistikim më të madh se simbolika e atyre sythave. Nuk ka sofistikim më të madh se vetë natyra).Më pas, kam shkruar ndonjë tregim apo poezi aty-këtu, por, e thënë pa shumë diplomaci, nuk kam ndonjë mendim të lartë për poezitë e mia, edhe pse ndjekësit e mi në blog, si dhe në faqen si autore, i pëlqejnë këto poezi.
Mua më duket vetja më mirë në prozë. Më tej, në poezi më tepër kam sfiduar veten, pasi disa poetë më theksonin vazhdimisht se poezia ime kishte tepër mendim. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ç’dëm i sjell poezisë mendimi…
Të them të drejtën, nuk e duroj dot poezinë budallaqe, atë fluturaken që nuk të lë asgjë nëpër mend kur e mbaron së lexuari.E ja, kështu, ata poetë më ngulitën në mendje idenë se poezitë e mia janë më inteligjente seç duhet, dhe, unë e besova se nuk di të shkruaj poezi…
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më posht:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/08/21/shkrimtaret-femra-nuk-shkruajne-vetem-melodrama/