Nga 1 sa u parapa në fillim, Ministria e Pushtetit Lokal e rriti në tre numrin e personave që mund ta iniciojnë rrëzimin e kryetarit të komunës.
Por, nënshkrimi i peticionit të grupit nismëtar nga 20% e elektoratit lokal, vetëm ia hap rrugën një procesi tjetër të votimit, me të cilin qeveria po synon t'i largojë nga pozitat katër krerët e qyteteve veriore të Kosovës, raporton Klan Kosova.
Sipas dokumentit final të Udhëzimit Administrativ, që u publikua të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta organizojë mini-referendumin jo më vonë se 45 ditë nga suksesi i peticionit.
Për t'i shkarkuar përfundimisht kryetarët, tash duhet të marrin pjesë 50% plus njëshi i votuesve të komunave përkatëse. Përndryshe, nëse kjo shifër nuk arrihet, iniciativa mbyllet si e dështuar.
Ndërsa një peticion i ri do të mund të organizohej tek një vit pas këtij procesi.
Në zgjedhjet lokale të 2021-ës kur morën pjesë edhe serbët, kjo përqindje ishte kaluar në Mitrovicën e Veriut, Zvecan, Leposaviq e Zubin Potok.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, beson se kjo është forma e vetme për ta zgjidhur çështjen e veriut.
"Rrugë tjetër për të larguar kryetarët aktual nga detyra nuk ka insitucionalisht dhe politikisht, pastaj pjesa tjetër dorëheqja është veprim moral, individual i kryetarit për të cilin ne nuk kemi as tagër politik, institucional dhe moral për t’ia kërkuar", thotë deputeti i V-së, Adnan Rrustemi.
Nga katër kryetarët shqiptarë në veri, dy janë të Partisë Demokratike, që më shumë e preferojnë dorëheqjen se sa peticionin.
Kolegët e tyre në qendër, duan koordinim me aleatët për këtë punë.
"Kemi një korrektësi dhe bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të gjejmë një zgjidhje, për faktin se i kemi dy kryetarë aty. Në anën tjetër, kur i sheh qasjen dhe hapat e kësaj qeverie në këtë drejtim lënë për të dëshiruar”, shprehet shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.
Udhëzimi Administrativ që u përpilua për shkak të veriut, do të mund të përdoret edhe ndaj kryetarëve të komunave tjera të vendit.
https://www.youtube.com/watch?v=j8OJs4tk2Jg
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.