22:17 - Krasniqi: Korrupsioni në Qeverinë Kurti është i përmasave që nuk gjendet as në rajon (VIDEO)
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kosova nuk ka parë korrupsion më të madh sesa ky në qeverisjen e Kurtit.
“Nëse ka pasur korrupsion në Kosovë ndonjëherë, ky është korrupsion i jashtëzakonshëm që ka depërtuar në poret e çdo institucioni dhe çdo niveli qeverisës, por që ka një piramidë të caktuar. Nuk është korrupsion jo i strukturuar, por i strukturuar dhe i lidhur drejtpërdrejtë me qeverisjen dhe kryeministrin Kurti”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai shtoi se korrupsioni më i madh po ndodhë në fushën e energjisë, dhe se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është personazhi kryesor.
“Në momentin kur do të publikohet, dëshmohet dhe zbulohet tregimi, në qendër të së cilit qëndron ambasadori i Kosovës në Kroaci, shoku i Albin Kurtit, Martin Berishaj, unë besoj se secili qytetar do ta shohë që korrupsioni masiv që ka ndodhur në këtë qeverisje, ka qenë i përmasave që ndoshta as në rajon nuk kemi me i gjetë, krimin dhe korrupsionin që është bërë në fushën e energjisë në këtë qeverisje. Martin Berishaj është pika gravidacionale, qendra e skandalit më të madh korruptiv e financiar në rajon që bazën e ka në Slloveni e Serbi, njeri ka bajtë pare me çanta”, deklaroi Krasniqi.
22:11 - Krasniqi: Qeveria nxiti dhunë në kuvend për ta larguar vëmendjen nga audio-incizimetKryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur mbi dhunën që ndodhi në seancën e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se kjo ishte hera e parë qe qeveria ndërhyri në mënyrë të organizuar kundër deputetëve.
“Edhe në ditët më të errëta të parlamentarizmit të Kosovës kur Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të dhunshme i ka penguar punimet e përfaqësuesve të popullit, kur ka hedhur edhe gaz lotsjellës, kur i ka sulmuar ministrat me shishe e me vezë, kurrë ministrat e qeverisë nuk kanë reagu”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Krasniqi u shpreh i bindur se dhuna që ndodhi në kuvend ka qenë e organizuar nga partia në pushtet për ta zhvendosur vëmendjen nga audio-incizimet.
“U zbulua një skandal i paparë i kësaj qeverisje që dëshmoi katërçipërisht që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe kanë pasur koalicion nga dita e parë së paku deri në prill të vitit të kaluar, ose në qershorin e vitit të kaluar dhe tash kur zbulohet një koordinim i msheftë, një bashkëpunim i msheftë, siç thuhet ne jemi dakorduar që ne këtë ta bëjë fshehurazi normalisht që kemi pyetje”, tha Krasniqi.
21:45 - Krasniqi: Shumica e deputetëve të LVV-së janë aksidentalë (VIDEO)
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar përse subjekti që ai drejton nuk po i bashkëngjitet iniciativës së AAK-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Krasniqi tha se ky mocion nuk mund të jetë i suksesshëm në konstalacionin aktual politik.
“Ne e kemi një parlament, aty janë 120 deputetë, kanë emër, mbiemër dhe përkatësi partiake. Krejt opozita bashkë jemi 41 ose 42, domethënë ka hapësirë nëse të gjithë ishim pajtu sa për ta bërë mocionin dhe për ta dërguar në procedurë parlamentare, në momentin që e dërgojmë seanca mbahet jo më herët se dy, e jo më vonë se pesë ditë, ku mund t’i gjejnë partitë tona opozitare edhe 20 deputetë tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje? Unë në asnjë mënyrë nuk e llogaris asnjë votë nga Lista Serbe”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Duke folur për votat potenciale të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Krasniqi tha se shumica e këtyre deputetëve janë aksidental, prandaj nuk votojnë për mocion mosbesimi.
“Kush është ai që vërtetë beson që munden 15 deputetë të Vetëvendosjes sot ta tradhtojnë Albin Kurtin dhe vetveten? Shumica e atyre deputetëve, me respektin personal për secilin, janë deputetë aksidental, kanë qëlluar në listën e Albin Kurtit dhe janë bërë deputetë, nuk i njeh as mahalla, as rrethi, as qyteti, as fshati, as komuna e vet, pra janë deputetë aksidental sepse kanë qëlluar në listën e Vetëvendosjes ku Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin i kanë marrë 51% të votave dhe ata janë bërë deputetë, 90 për qind kurrë deputetë më nuk bëhen, në momentin që ata e përfundojnë mandatin e Albin Kurtit realisht ata e kanë kry”, tha Krasniqi.
https://www.youtube.com/watch?v=QaFCX_BnQ9M
21:12 - Krasniqi: Qysh të premten mund të merremi vesh për të shkuar në zgjedhje (VIDEO)
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se vazhdimi i qeverisjes së Kurtit është i dëmshëm për vendin, prandaj në mbledhjen e fundit të këshillit drejtues të PDK-së është miratuar një deklaratë politike përmes se cilës janë marrë një serë vendimesh.
“E kemi shkëputur edhe komunikimin zyrtar me kryeministrin dhe presidenten e vendit, komunikim zyrtar nuk do të kemi përveç për të diskutuar për një marrëveshje potenciale politike për të shpallur datën e zgjedhjeve, po ashtu kemi kërkuar dhe i kemi dhënë mundësi zotit Kurti, që duke e njohur karakterin e tij autoritar dhe egocentrik, që të mos jap dorëheqje, por të dorëzohemi bashkërisht si kuvend”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Krasniqi tutje tha se është shumë e rëndësishme që të kthehet mandati te qytetarët për të parë se cili është sot qëndrimi i tyre ndaj Qeverisë Kurti, duke qenë se kjo e fundit nuk i është përmbajtur programit me të cilin kishte garuar në zgjedhje.
“Nëse Kurti është i sigurt që është duke bërë punë të mirë, ua ka përmirësu jetën qytetarëve le të del, le të matet, le ta merr edhe një mandat, por unë jam i sigurt që kjo nuk do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se PDK-ja është e gatshme që në seancën e 27, ose atë të 28 korrikut të merren vesh për shpërndarjen e kuvendit me mocion procedural.
“Nëse është kur të doni po iu lus hajde po shkojmë nesër, kemi seancë nesër dhe pasnesër në kuvend, unë jam i gatshëm që për 24 orë të merremi vesh me mocion procedural ta fusim shpërndarjen e kuvendit qysh të enjten, apo të premten dhe nëse janë kaq të sigurt po shkojmë në zgjedhje dhe le të flet qytetari dhe besoj se do të ishte puna më e mirë që mund ta bëjmë”, tha Krasniqi.
https://youtu.be/xQqA1AzT_r8
Rubikon sonte: Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i ftuari i sontëm në Rubikon.
- Përse PDK-ja nuk po i përgjigjet iniciativës së AAK-së për mocion ndaj qeverisë?
- Përse thonë që LVV-ja nuk është e gatshme për zgjedhje?
- Cili skandal i Qeverisë Kurti ka material për përfshirjen e Europolit e Interpolit, sipas Memli Krasniqit?
- Përse i quan aksidental deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje?
Klan Kosova, 20:45.
https://youtu.be/MfMWJU44cGA●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.