Pasi nuk e ka pranë fizikisht, po e mban kështu me fotografi në bluzë.
Michael Levy e di vetëm se vëllai i tij Or, është peng i grupit Hamas, që nga 7 tetori, kur u mor dhunshëm nga Festivali Supernova, ndërsa gruaja e tij Eynav, u vra po aty.
Teksa i shikon pamjet e fundit të çiftit që u fsheh në njërin nga bunkerët, kujton thirrjen që Or ia bëri nënës, si komunikim i fundit me familjen.
"Rreth 10 minuta pas kësaj thirrjeje, një grup terroristësh mbërritën në bunker dhe filluan të hedhin granata dhe të shtinin në të, dhe vranë Eynavin dhe 17 persona të tjerë, ndërsa rrëmbyen të gjithë të tjerët", rrëfen Levy për Klan Kosova.
Kur u nisën në festival, Or dhe Eynav lanë në shtëpi të birin 2 vjeçar, Almog. Michael thotë se nipi i tij vazhdimisht i kërkon prindërit.
https://www.youtube.com/watch?v=XhiTUXmao64
"Ai po pyet se ku është nëna dhe babai i tij. Kjo të thyen zemrën. Ai i do prindërit të kthehen. Fatkeqësisht, nëna nuk mund të kthehet, por ne duam që t'i kthehet babai", tregon ai.
Thirrjet për lirim të pengjeve në Gaza, përbashkohen në këtë hapësirë në Tel Aviv, që e ka marrë emrin sheshi i pengjeve.
"Sheshi është plotë me ekspozita që u kushtohet lirimit të pengjeve. Këtu kemi darkën e së premtes me 240 ulëse të zbrazëta, për secilin peng, sic ishin në fillim. Është simbol i fortë i mungesës së tyre", shpjegon Menachem Rosenberg, vullnetar në këtë shesh.
Çështja e lirimit të pengjeve ishte arsyeja edhe e prishjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, që rinisi luftimet më 1 dhjetor.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.