Kuleta simbolizon pasurinë dhe prosperitetin. Të dhurosh kuletë ka kuptime të thella, duke pasqyruar sinqeritetin e dhënësit dhe duke i uruar fat të mirë marrësit.
Ekziston besimi tek një pjesë e popullit te ne që nëse një person i pasur ta dhuron një kuletë dhe brenda saj vendos një vlerë simbolike parash, atëherë kjo ndikon që në një të ardhme të afërt pranuesit t’i hapen rrugët e suksesit dhe kuleta të mos i mbesë asnjëherë e zbrazët.
Këto keni mundur t’i dëgjoni shpesh në rrethet ku jetoni, madje edhe me personazhe që thonë se ky “truk” në fakt u kishte funksionuar.
Një lexuese e KlanKosova.tv e cila punon në një institucion bankar në Kosovë dhe vlerëson se qëndron kënaqshëm financiarisht, tregoi se për ditëlindje i kishte blerë motrës së saj një kuletë, e cila si grua e martuar – amvise me dy fëmijë, nuk kishte pasur asnjëherë shumë para nëpër duar, edhe për faktin që jetonte në bashkësi me vjehrrën dhe kunetërit.
“Nuk kaloi shumë kohë dhe bashkëshorti i motrës sime emigroi në Gjermani dhe i kërkoi që të hapte një llogari bankare në mënyrë që të mund t’i dërgonte para. Tashmë motra ime ka një kuletë që gjithmonë brenda saj ka para të mjaftueshme për nevojat e familjes së saj”, deklaroi ajo.
Megjithatë, teologu Fitim Flugaj shprehet se kjo gojëdhënë nuk njihet nga feja islame.
“Çdo gjë duhet të fitohet me mund e punë, pra pasuria fitohet me djersë, mund e merita. Duhet të bëhet lutja te Zoti që një njeri të pasurohet. E preferuar nga i Dërguari i Zotit është që të lexohet surja El Vakia para gjumit ose para se të fillojë punën. Kjo është një nga lutjet që e fton pasurinë”, tha Flugaj për KlanKosova.tv.
Të njëjtin mendim me të e ndan edhe Don Shan Zefi, i cili tha se këto janë veçse gojëdhëna e legjenda, vërtetësia e të cilëve nuk mund të verifikohet.
“Nuk ka asnjë të vërtetë fetare e as shkencore, veçse i stimulon njerëzit që të besojnë në besëtytni”, tha ai.
Ndërkohë që shumë njerëz besojnë në fuqinë e simboleve dhe gojëdhënave, është e rëndësishme të theksohet se sukseset personale dhe pasuria janë kryesisht rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, punës së palodhur dhe vendimeve të mençura.
Përtej çdo legjende, secili prej nesh ka në duar fuqinë për të formësuar fatin tonë përmes përkushtimit dhe planifikimit të kujdesshëm.
Poooor, nuk duhet përjashtuar edhe fakti që disa njerëz ndoshta edhe kanë thjesht fat?!
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek të tjera dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.