Pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme, Arbër Potoku ka mbyllur kapitullin e tij me Ballkanin, duke u larguar nga klubi suharekas pas tetë vitesh bashkëpunim.
Mbrojtësi ishte një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të Ballkanit, duke qenë pjesë e rrugëtimit që e shndërroi skuadrën në një nga klubet më të suksesshme në futbollin kosovar. Gjatë kohës së tij në klub, Potoku kontribuoi në fitimin e tre titujve kampionë të Kosovës, një trofeu të Kupës së Kosovës dhe dy Superkupave.
Që nga ardhja e tij në gusht të vitit 2018, Potoku regjistroi gjithsej 263 paraqitje me fanellën e Ballkanit, duke realizuar shtatë gola dhe 13 asistime. Përvoja, përkushtimi dhe paraqitjet e tij të vazhdueshme e bënë një prej lojtarëve kyç në sukseset e skuadrës gjatë viteve të fundit.
Përmes një mesazhi falënderues, Ballkani shprehu mirënjohjen për kontributin e Potokut, duke vlerësuar rolin e tij në arritjet historike të klubit dhe duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Largimi i Potokut shënon fundin e një epoke të rëndësishme për Ballkanin, ndërsa emri i tij do të mbetet i lidhur ngushtë me periudhën më të lavdishme në historinë e klubit.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.