Lajmet e fundit

Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, pritet të rikthehet në fushë në ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve ndaj Inter Milanit, duke dhënë një shtysë të madhe për skuadrën londineze.
Odegaard, i cili ka qenë jashtë aksionit që prej muajit shtator për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, ka zhvilluar një seancë stërvitore me shokët e tij të ekipit në bazën e Arsenalit në London Colney të martën në mëngjes.
Sipas informacioneve, mesfushori 25-vjeçar do të udhëtojë drejt Milanos para ndeshjes së Arsenalit kundër Interit në stadiumin San Siro të mërkurën, shkruan Onefootball.com, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkohë, Declan Rice, i cili gjithashtu është pjesë e skuadrës, nuk është përfshirë në grupin që do të udhëtojë për në Itali, por kjo është thjesht një masë paraprake për të siguruar që lojtari të jetë në formë të plotë për derbin e rëndësishëm ndaj Chelsea-t të dielën.
Odegaard ka munguar në 12 ndeshje të fundit të Arsenalit, pas një dëmtimi të pësuar gjatë angazhimit me kombëtaren e Norvegjisë. Edhe pse mbetet e paqartë se sa minuta do të mund të luajë në ndeshjen kundër kampionëve të Italisë, rikthimi i tij vjen në momentin ideal për "Topçinjtë", të cilët kanë humbur terren dhe janë shtatë pikë pas Liverpoolit në garën për titullin në Premier League.
Arsenali ka nisur mjaft mirë fushatën e tij evropiane, duke barazuar në fushën e Atalantës dhe më pas duke siguruar dy fitore radhazi në shtëpi ndaj Paris Saint-Germain dhe Shakhtar Donetsk.