Nusja priste të bënte një hyrje spektakolare në dasmën e saj, por gjithçka shkoi keq kur helikopteri me të cilin po fluturonte, u rrëzua vetëm disa minuta para se të ulej.
Kjo është historia e trishtë e 32 vjeçares Rosemeire Silva Nascimento, e cila e veshur me fustanin e bardhë dhe vello ndërroi jetë në vend.
Nga ky aksident humbën jetën edhe tre persona të tjerë të ekuipazhit. “Metro” shkruan se infermierja kishte planifikuar një surprizë për të fejuarin e saj, Udirely Narques Damasceno, 34 vjeç.
Gjithashtu donte të linte pa fjalë edhe 300 të ftuarit e tyre me një hyrje spektakolare duke fluturuar me helikopter në Sao Lourenco de Serra, një lagje e pasur e Sao Paolo. Por fatkeqësisht gjërat nuk shkuan sikur nusja dëshironte.
Dhëndri mbeti i shokuar para altarit kur iu tha se e fejuara e tij vdiq. Sipas organizuesit të dasmës, Carlos Eduardo Batista, një nga të paktët që e dinte surprizën, dhëndri nuk dinte gjë.
“Çdo nuse ka një ëndërr të bëj diçka të veçantë për ditën e madhe dhe për Rosemeire, ëndrra e saj ishte të shkonte në dasmë me helikopter pa e ditur kush më parë”, thotë Carlos, shkruan gazeta Shekulli.
Policia vendase ka njoftuar se përveç saj, viktimë e aksidentit mbeti dhe i vëllai, Silvano Nascimento da Silva, që ishte shumë i lumtur për këtë plan, fotografja e dasmës, Nayla Cristina Neves Lousada e cila ishte 6muajshe shtatzënë dhe Peterson Pinheiro, piloti.

●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kuriozitete dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.