Një djalë i varfër takon një vajzë të pasur. Të dy bien në dashuri. Vajza kthehet në vendlindjen e vet. Burri premton që do ta takojë, por kushtet e këqija ia pamundësojnë ta bëjë shpejtë.
Ai vendosi që ta përmbush premtimin e tij por në një mënyrë shumë të veçantë e të paparë – ai vendosi të bëjë një udhëtim me bicikletë në tetë shtete që ta takojë dashurinë e jetës së tij.
Jo, kjo nuk është një storie e Bollywood-it, por është plotësisht e vërtetë, transmeton Klan Kosova.
Kjo është historia e Praduyumna Kumar Mahanandia nga India dhe Charlotte Von Schedvin nga Suedia historia e të cilëve është e mbushur me emocion, dramë dhe shumë dashuri.
Mahanandia ka lindur në vitin 1949 në një familje të varfër në Odisha, Dhenkanal dhe për ta ishte e pamundur që t’ia financonin edukimin e tij.
Por në vitin 1971 ai arriti që të hyjë në kolegjin e artit në New Delhi dhe u bë i famshëm me portretet që i realizonte.
Në vitin 1975, 19 vjeçarja Charlotte Von Sledvin një studente në Londër kishte dëgjuar për talentin e këtij indiani në pikturë kështu që udhëtoi për në Indi që ta takonte për të ia bërë një portret.
Në momentin kur u takuan, Mahanandia u mahnitë nga bukuria e saj e njëjtë ndodhi edhe me Sledvin e cila e ndërroi emrin në Charulat (emër indian) dhe u martuan me rituale tradicionale.
Kur i erdhi koha që të largohej nga India ajo i kërkoi atij që të shkonte me të mirëpo për Mahanandia ishte e pamundur sepse dëshironte t’i përfundonte studimet. Kur ajo ia afroi një biletë aeroplani që ta takonte atë më vonë, Mahanandia e refuzoi duke thënë se këtë gjë do e bënte vetë dhe se nuk ka nevojë për ndihmë materiale.
Pasi që ajo u largua, të dy i mbajtën kontaktet me anë të letrave.
Por kushtet e këqija materiale ia pamundësuan që të blinte një biletë aeroplani, kështu bleu një bicikletë për tu ribashkuar me dashurinë e tij.

Ai me bicikletë kaloi në Afganistan, Iran, Turqi, Bullgari, Jugosllavi, Gjermani, Austri dhe Danimarkë dhe pas 4 muaj e 3 javë ai më në fund mbërriti në Gothenburg të Suedisë.
Mahanandia këtë udhëtim e bëri në vitin 1979 e jo shumë vende kishin nevojë për visa. Në kohën kur atë e ndalonin në kufi për ta pyetur se ku po shkonte, Mahanandia tregonte fotografinë e gruas së tij, mirëpo kufitarët shpesh nuk besonin se si një grua me prejardhje mbretërore nga Evropa është martuar me një njeri të varfër nga India.
Kur Charlotte dëgjoi se burri i saj ka udhëtuar për rreth pesë muaj me bicikletë pothuajse u çmend nga dashuria.
Prindërit e saj e pranuan Mahanandian si pjesë të familjes së tyre, edhe pse kjo gjë është kundër traditës mbretërore.
Tani, 40 vjet më vonë Mahanandia shërben si ambasador i kulturës nga India në Suedi dhe është i martuar me dashurinë e tij me të cilën i ka dy fëmijë.
