Nëse edhe veç pak sekonda kanë mbetur për t'u luajtur dhe një skuadër është në epërsi ndaj Real Madridit, tifozët e tyre nuk gëzohen dot pa përfunduar ndeshja.
Klubi mbretëror nga Spanja e ka dëshmuar se pos që është dominues në Evropë, është edhe kampion i rikthimeve të rezultateve, njofton Klankosova.tv.
Ajo që bënë "Merengezët" mbrëmë në "Etihad", duke e fituar ndeshjen ndaj Manchester Cityt për 6 minuta, nga 2-1 sa ishte deri në minutën e 86, në 2-3 në të 92-tën, nuk ishte asgjë e re për futbolldashësit.
Pikërisht kundërshtari i njejtë e kishte përjetuar edhe njëherë në Ligën e Kampionëve, furinë e jashtëzakonshme të Real Madridit.
Skuadra e Pep Guardiolas fitoi në Angli 4-3 në vitin 2022, teksa në duelin e kthimit në "Santiago Bernabeu" morën avantazhin në minutën e 73-të, duke e mbajtur deri në të 89-ën.
E kur të gjithë prisnin kualifikimin e "qytetarëve", vetëm një minutë u mjaftoi madrilenëve që ta përmbysin Cityn, duke shënuar dy gola në minutat 90 e 91, raporton Klankosova.tv.
Ndeshja shkoi në vazhdime dhe menjëherë në të 95-ën, Reali shënoi sërish, për ta eliminuar kundërshtarin që veç me një këmbë ishte në finalen e UEFA Champions League.
Rikthimet e fuqishme të 15 herë kampionëve të Evropës, e kanë zanafillën qysh në vitet e largëta.
Ishte kampionati evropian i UEFA-s 1985/86, Borussia Monchengladbach fitonte ndeshjen e parë 5-1, por në duelin e kthimit "Los Blancos" fituan 4-0.
Në po të njejtin sezon, Anderlecht e mundi 3-0 Realin, por këta të fundit e deklasuan 6-1 në përballjen e dytë.

Wolfsburgu i Gjermanisë e mundi 2-0 R.Madridin, por në ndeshjen e kthimit gjermanët humbën 3-0, në çerekfinalen e vitit 2016.
Borussia Dortmund po fitone në tetorin e kaluar 0-2 në "Santiago Bernabeu", pas 45 minutave të para, por në fraksionin e dytë, pësoi plot pesë gola, për rezultatin përfundimtar 5-2, transmeton Klankosova.tv.
Reali shënoi rikthime edhe ndaj Chelseas e PSG-së në edicionin 2021/22, kurse pos në Champions, përmbysje të mëdha u shkaktoi ndërvite edhe skuadrave të La Ligas spanjolle.
Në mesin e tyre edhe ndaj rivalit të përbetuar.
Rikthimi i fundit ndaj Barcelonës, ndodhi në prillin e vitit të kaluar.
"Blaugranat" po udhëhiqnin si mysafirë në Madrid 1-2, deri në minutën e 79, por 3 pikët i takuan Realit që e ktheu rezultatin në 3-2.
Historia e futbollit tashmë e ka dëshmuar, që Real Madridi është shndërruar në sinonim të përmbysjeve megalomane në sportin më të popullarizuar në botë.