Lajmet e fundit

Piloti holandez Max Verstappen po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga Formula 1 në fund të sezonit, edhe pse kontrata e tij me Red Bull zgjat deri në vitin 2028.
Sipas raportimeve të fundit, vendimi i mundshëm lidhet me disa faktorë, duke përfshirë pakënaqësinë e tij me rregulloret e reja të këtij sporti. Kampioni i shumëfishtë i botës nuk e ka fshehur këtë qëndrim, duke e theksuar edhe pas garës së fundit në Japoni.
Pas një beteje të fortë në pistë me Pierre Gasly të ekipit Alpine F1 Team, Verstappen u shpreh hapur për BBC: “Nuk e vlerësoj më këtë Formula 1”.
28-vjeçari pranoi se po reflekton për të ardhmen e tij:
“A po mendoj të tërhiqem? Po, po mendoj për gjithçka që po ndodh në këtë sport. Ka ende shumë gara, por pyes veten nëse ia vlen, apo më mirë të kaloj më shumë kohë me familjen dhe miqtë, pasi nuk po argëtohem më”.
Megjithatë, Verstappen theksoi se rezultatet nuk janë problemi kryesor.
“E di që nuk mund të fitosh çdo herë, por çështja është se nuk po e shijoj më garimin. Po përpiqem të përshtatem, por mënyra se si po zhvillohet sporti nuk është ajo që dua”.
Deklaratat e tij kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e një prej emrave më dominues të viteve të fundit në Formula 1.