Lajmet e fundit

Cupcake është një mace jashtëzakonisht me fat.
Siamezja mbijetoi duke qenë e mbyllur në një kuti të vogël për tetë ditë, pasi pronarja e saj aksidentalisht e vendosi në postë.
Julie Bagott nuk e ka vënë re macen e saj kur është futur në kuti, derisa ajo ishte duke e paketuar me DVD në shtëpinë e saj në Falmouth, në jugperëndim të Anglisë. Më pas ajo e dërgoi kutinë në postë.
Pasi udhëtoi për mbi 400 mijë kilometra, Cupcake arriti në Worthing, në anën tjetër të vendit.
Marrësit e paketës ishin habitur pasi e gjetën macen së bashku me filmat që kishin blerë.
Cupcake ishte “e frikësuar, nervoze dhe shumë e dehidruar”, raporton The Evening Standard. Ajo më pas është dërguar tek veterinari për kontroll shëndetësor dhe që të identifikohet përmes mikroçipit të saj.
“Të gjithë ishim të gëzuar kur e kuptuam se detajet e kontaktit të saj ishin të përditësuara dhe se ishim në gjendje për t’i kontaktuar pronarët e saj lehtësisht”, ka deklaruar veterinari përmes një deklarate për shtyp.
“Ata ishin duke e kërkuar çmendurisht macen e tyre të dashur, duke vënë posterë në zonën lokale, por për as edhe një moment nuk e kishin kuptuar që ajo ishte dërguar me postë në mënyrë aksidentale!”.
Cupcake ishte bashkuar me pronarin e saj të frikësuar të shtunën. “Ndjehem tmerrshëm për atë që ka ndodhur, e dini?”, tha Baggott për BBC, transmeton Klan Kosova.
“I vendosa të gjitha në kuti dhe e kam mbyllur në vijë të drejtë, kështu që nuk e di se si ajo arriti që të futet aty”, shtoi ajo. “Ishte mrekulli, sepse ishte e gjallë, ajo arriti t’i mbijetojë kësaj përvoje të hidhur dhe të tmerrshme”.