Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë më 2 korrik, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Vizita do të nisë me një takim në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku Novak do të pritet nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, dhe sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku.
Gjatë takimit do të diskutohen zhvillimet e fundit në basketbollin kosovar, projektet aktuale të Federatës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet FBK-së dhe FIBA Europe.
Më pas, në orën 19:00 në Prizren, Novak do të jetë i pranishëm në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e vlefshme për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029, duke shprehur edhe një herë mbështetjen e FIBA Europe për basketbollin e Kosovës.
Vizita e Drejtorit Ekzekutiv të FIBA Europe konsiderohet një moment i rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës, pasi konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera me FIBA Europe dhe besimin e vazhdueshëm në punën e FBK-së, si dhe në kapacitetet e saj për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare./Klankosova.tv
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.