Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka thënë në një bashkëbisedim me lexuesit e tij në tetarin e Klan Kosovës se letërsia shqipe, mbase mund të ishte shumë më e njohur në botë, por as tash, kështu si është, nuk është pak e njohur.
Madje, sipas Kadaresë, është modë e keqe dhe e turpshme e krijuar prej snobëve që thonë se letërsia shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë qëndrojnë keq krahasuar edhe me vendet e Ballkanit.
“Një pjesë janë shumë të pakënaqur prej tyre (prej shkrimtarëve), ju kërkojnë gjëra të pamundura, kërkojnë suksese të menjëhershme, të bujshme, njohje ndërkombëtare të rrufeshme. Unë jam me mendimin se letërsia shqipe, sot është një letërsi e njohur mirë, aspak keq siç thuhet, sepse është bërë modë të thuhet që letërsinë tonë s’e njeh kush”, ka pohuar Kadare, njofton Klan Kosova.
“Dhe, kjo është një modë prej snobësh. Sidomos kur flitet për letërsinë ballkanike, me një paturpësi të madhe thuhet që letërsia shqipe është e prapambetur edhe në Ballkan. Kjo nuk është e vërtetë. Letërsia shqipe është një letërsi normalisht e njohur. Ajo sot konkurron në garat më të mëdha të letërsisë, ka marrë shumë çmime. Ka shkrimtarë, nuk jam vetëm unë i përkthyer, mund të jenë 10-15 gjithsejtë. Nuk kanë pasur atë sukses, aq sa do të donin ndoshta, ata ose neve, por sidoqoftë, janë përkthyer në disa gjuhë”.
“Për shembull, Fatos Kongoli, ka shtatë-tetë gjuhë që është I përkthyer. Kjo është e nderuar për një shkrimtar. Ka plotë shkrimtarë të tjerë, me nga tri-katër gjuhë”.
“Prandaj, letërsia shqipe ka një njohje botërore jo të keqe, ndoshta jo aq sa mund ta kishte, bile mund të ishte masivisht e njohur, por e ka jo të keqe”.
klankosova.tv