Një vendim i fillim gushtit të këtij viti, mund të ketë shkelur një marrëveshje të para 8 vjetëve mes Kosovës e Serbisë.
Kjo kur qeveria vendosi t’ia heqë licencën operatorit serb MTS për të transmetuar në Kosovë, siç u tha për shkak të përmbajtjes antikushtetuese në dokumentacion, raporton Klan Kosova.
Ky vendim u vlerësua të jetë paksa i ngutshëm, meqë për të ekzekutivi nuk u koordinua me askënd.
Se duhej të kishte kujdes të shtuar në këtë rast e tha ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
“Kjo është një çështje shumë sensitive. Dhe në rastin e çdo biznesi licenca e te cilit mund të tërhiqet ne do të sugjeronim secilën qeveri që ti bëjë këto veprime me kujdes. Është gjë e madhe kur ia suspendon licencën një biznesi. E patëm këtë diskutim, në një kontekst tjetër me Klan Kosovën, po ashtu. Por, MTS është veçanërisht special, pasi një pjesë e mirë e bazave të operimit të tij është një marrëveshje e arritur nën marrëveshjen e dialogun lidhur me provizionet e shërbimeve telefonike fikse dhe mobile. Pra, e inkurajojmë qeverinë në mënyrë të veçantë që të jetë shumë, shumë e kujdesshme për vendimet që merr", ka thënë Hovenier.
Amerikani bëri të ditur se përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, po dialogon me qeverinë se si të veprohet tutje.
“Lajçak dhe ekipi i tij po punojnë me Qeverinë e Kosovës se si të menaxhohet kjo. Nuk dua të supozoj asgjë por ne e mbështesim punën e të dërguarit të BE-së, që ka përgjegjësi për të siguruar se gjithçka bëhet në pajtim me marrëveshjet e Brukselit”, u shpreh ai.
MTS është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në fund të vitit 2016, kjo kompani me seli në Mitrovicën e Veriut, mori licencën për të operuar në Kosovë.
Ndërkohë, nga ky institucion ditë më parë thanë se do ta apelojnë këtë vendim duke mbrojtur siç thanë, interesat e të gjithë qytetarëve që përdorin shërbimet e tyre.
https://www.youtube.com/watch?v=HYuIhN0ZHXk
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.