Afishe me fotografi të ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, u shpërndanë në disa lokacione në veri të Republikës, mëngjesin e së shtunës.
Ato siç tha zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, që edhe i postoi në Facebook, u panë në Leshak, Leposaviq, Zveëan, Soqanicë si edhe në Zubin Potok. Ndërsa, sipas tij, e thonë qartë se kush po e terrorizon popullatëm serbe në këtë zonë.
“Ne mendojmë se pikërisht Radoiçiqi dhe Lista Serbe janë përgjegjës për një sërë vrasjesh që kanë ndodhur këtu. Këta janë pronarë të laboratorëve të drogës. Këta po e drogojnë rininë tonë. Janë përgjegjës edhe për shumë vepra penale të kryera nga të rinjtë, meqë e tëra u bë me urdhrat e Radoiçiqit dhe bandës Lista Serbe”, tha ai, njofton Klan Kosova.
Por, Radomiroviq mohon se qëndron prapa atyre që i quan aktivistë, e që thotë t’i kenë vendosur afishet.
“Askush nuk qëndron prapa këtyre qytetarëve. Askush nuk i financon. Janë vetëm idetë e tyre personale dhe dëshira e tyre që t’i informojnë qytetarët se askush më nuk i frikësohet as Listës Serbe e as Radoiçiqit”, pohoi tutje ai.
Radomiroviq deklaroi se ka pasur një alarmim në Kopaonik ku qëndron Radoiçiqi, dhe u dha urdhri të gjenden fëmijët, që siç tha i angazhuan që t’i heqin fotografitë, duke i lënë deri rreth mesditës, veç dy tek stacioni i autobusëve në Leposaviq. Por, ai paralajmëron rivendosje të tyre, nga ai që e quan grup i madh i qytetarëve aktivistë.
https://www.youtube.com/watch?v=Er4NGqKSFZM
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.