Në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi një seri takimesh që u bënë në zyrën e BE-së në kryeqytetin kosovar.
Njëri nga këto takime ishte me udhëheqësit e opozitës, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Top-temë bisede është Draft-Statuti për Asociacionin, që emisarët euro-amerikanë e prezantuan më 21 tetor, së pari në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pastaj me presidentin e Serbisë, në Beograd.
Kreu i PDK-së, thotë se Lajçaku i njoftoi se Drafti që i është prezantuar qeverisë është dokument në pajtim me Kushtetutën dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe. Por se nuk patën mundësi ta konsultojnë tekstin integral, duke shtuar se duan sqarime, sidomos nga qeveria.
Ai tha se kërkuan që Kosovës, BE-ja të ia largojë menjëherë “masat ndëshkuese” por se nuk kishte konkretizim të arsyeve nga Lajçaku se pse ato s’po hiqen.
Nga ana e tij, i dyti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se po vazhdojnë të mbahen në terr për shkak të mos-zbardhjes së dokumentit për AKS-në nga ana e kryeministrit për publikun.
Lutfi Haziri pohon se palët nuk po negociojnë, por po ofrojnë komente në dokument, dhe këto komente nuk janë duke u negociuar.
Deklarata më e befasishme pas takimit me të dërguarin e Unionit për bisedimet kosovaro-serbe erdhi nga shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai pohoi se u njoftuan dhe patën rastin ta lexojnë në tërësi, dokumentin e Draft- Statutit për Asociacionin.
Shtoi se biseduan për hapat e mëtejmë që e presin dhe mund të presë Kosova, pas zbatimit të obligimeve që dalin nga plani franko-gjerman, që mbështetet nga amerikanët.
E Lajçaku, që gjatë kësaj vizite shmangu çdo paraqitje para mediave, shkroi për takimet e së martës duke e quajtur ditë shumë produktive dhe shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialog dhe rrugën përpara.
Ai falënderoi të gjithë bashkëbiseduesit për rolin siç e quan aktiv dhe përkrahjen e tyre.
Para opozitës, emisari kishte takime të veçanta me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, pastaj komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash. Si dhe një bisedë me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së të akredituar në Prishtinë. Kori diplomatik, qëndroi në zyrën e BE-së afër dy orë.
https://www.youtube.com/watch?v=PgGGQeOGsJU
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.