Lajmet e fundit

Një ngjarje vërtet e keqe ndodhi javën që shkoi në futbollin e femrave.
Në Rumani, futbollistet e Mitrovicës përjetuan tmerrin nga ultrasit e skuadrës Farrul Constatja, të cilët kishin vendosur një baner me mbishkrimin "Kosova është Serbi".
Njëra nga futbollistet e skuadrës KFF Mitrovica, Donika Syla, ka folur rreth incidentit duke u shprehur se ishte tronditur nga skenat brenda stadiumit.
"Po bërtisnin vrisni shqiptarët. Kishte kolege të mia që donin të largoheshin nga fusha", tha ajo, shkruan gazeta rumune transmeton Klankosova.tv
Syla u shpreh se ajo me bashkëlojtarët e saj ishin të tronditura.
"Ndeshja ishte shumë e vështirë, sepse nuk i prisnim ato ngjarje. Ne ishim të përgatitur dhe të motivuar për atë lojë, por për shkak të incidenteve huligane, u mërzitëm në mesin e pjesës së parë. Ata filluan të bërtasin dhe të shfaqin flamurin e Serbisë. Filluam të pyesim veten se çfarë do të ndodhte më pas", tha Syla.
"Kishim frikë nga historia mes nesh dhe Serbisë gjatë luftës. Pas pjesës së parë, kur ishim në dhomën e zhveshjes, trajneri dhe presidenti u përpoqën të na qetësonin. Disa nga lojtarët ishin shumë të prekur mendërisht dhe ne nuk u ndjemë gati për të rifilluar lojën. Kisha kolegë që nuk donin të dilnin në fushë për pjesën e dytë. Si fëmijë e kam jetuar luftën me Serbinë dhe e di se çfarë kuptimi kanë ato momente. Ishte një situatë e vështirë për familjen time, por nuk dua të flas shumë për këtë", u shpreh ajo.
Lidhur me incidentin reagoi edhe Federata e Futbollit të Kosovës, ku në njoftimin për media u tha se ka kërkuar sqarim zyrtar rreth kësaj ngjarje.
Ndeshja u humb me rezultat 0:4 nga mitrovicaset, por FFK-ja ka dërguar ankesë në UEFA lidhur me këtë ndeshje.
Siç shkruan mes tjerash gazeta rumune, ndeshja ishte ndërprerë për shtatë minuta dhe opsion ishte që Farrul Constantja, ta humbiste ndeshjen në tavolinë, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ndeshja e Champions League në kategorinë për femra u luajt një javë para ndeshjes së kombëtares së Kosovës me Rumaninë, në kuadër të Nations League.
"Dardanët" në "Fadil Vokrri" humbën me rezultat 0:3.