Lajmet e fundit

Masat e sigurisë në stadiumin e Bukureshtit janë shtuar.
Kjo pasi sonte nga ora 20:45 në "National Arena" do të luhet ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, të cilën “Dardanët” kërkojnë ta fitojnë me ngulm, njofton Klankosova.tv.
Gazetari i Klan Kosovës, Arlind Sadiku drejtpërdrejtë nga “National Arena” e Bukureshtit, tha se deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident mes tifozëve, ndërsa të gjithë janë kontrolluar në detaje, madje edhe për mbishkrime mbi flamuj.
Ai shton se 200 tifozë "dardanë" kanë shkuar për ta shikuar këtë ndeshje.
“Sapo kanë dalë për t'u nxehur futbollistët e Kosovës, janë pritur me kërcitje të shumta nga tifozët rumunë, mirëpo gjithçka ka shkuar mirë sa i përket organizimit, nuk është raportuar për asnjë incident pasi masat e sigurisë janë shtuar jashtëzakonisht shumë. Normalisht që edhe tifozët janë kontrolluar deri në detajin e fundit, janë lejuar flamujt e Kosovës, edhe pse janë kontrolluar të gjithë flamujt se a ka ndonjë mbishkrim në ta”, tha Sadiku.
“200 tifozë të Kosovës janë në stadium - 67 janë tifozë, ndërsa rreth 120 janë mysafirë të Federatës së Futbollit të Kosovës”, deklaroi Sadiku.