Ambasadori i Amerikës është i befasuar me njerëz nga partia në pushtet që mendojnë se ky po do të ndikojë në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Habia e tij vjen pas fushatës së eksponentëve të Vetëvendosje të cilët e akuzuan Jeff Hovenierin për takime, vizita e fotografime me biznesmenët e familjes Devolli dhe për siç thanë, ndikim të tij në sistemin e drejtësisë.
Anëtarë të lëvizjes përmendën në këtë kontekst vendimmarrjen e Gjykatës Komerciale në dëm të Telekomit, e në të mirë të një biznesi të Devollëve.
Numri një i Amerikës në Kosovë mohoi se takimet e tij me biznesmenët në fjalë, por edhe më të tjerët gjithandej vendit, kanë motive të tilla.
“Kam parë këto komente dhe jam hutuar e befasuar, nuk mendoj që këto komente janë të bazuara në realitet. Jam takuar me drejtues biznesesh në gjithë spektrin dhe takimet e mia nuk kanë lidhje me vendimet që marrin zyrtarët qeveritarë. Mohoj se ShBA po provon të ndikojë në vendimet e gjykatave. ShBA bashkë me partnerët qëndrojnë për lirinë e mediave”, deklaron ai.
Hovenier po ashtu përsërit qëndrimin në mbrojtje të televizionit Klan Kosova, pas tërheqjes së certifikatës së biznesit nga Ministria e Ndërmarrësisë. Sipas tij, ky rast nuk është vetëm çështje biznesi, por më shumë se kaq.
"Ne nuk e shohim këtë çështje thjeshtë vetëm si çështje e regjistrimit të biznesit, por si çështje të lirisë së medias dhe si të tillë e adresojmë. Kemi mësuar nga pronarët e Klan Kosova se kanë dorëzuar dokumentet e reja të regjistrimit. Kurdo që një qeveri merr vendim që mund të ketë ndikim në mediat e pavarura, për transmetim ose operim, është diçka që duhet bërë vetëm pas një rishikimi shumë të kujdesshëm, dhe si veprim krejt i fundit, sepse liria e medias është aq e rëndësishme”, thotë ai.
Ai u kërkon institucioneve kosovare ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë transparente, të drejtë dhe të shpejtë.
https://www.youtube.com/watch?v=RER2qn3Iu4I
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.