25 korriku i 2022-ës ishte dita kur jeta e Yll Sylës nga Prishtina mori kthesë.
Ishte ora 19:40, kur studenti 19-vjeçar i Infermierisë, po kthehej nga Lipjani në shtëpi, kur një veturë e ndalur në shiritin për ndalje emergjente në autostradën "Arbën Xhaferi", kërkoi ndihmë nga ai.
Shoferi, L.T., i cili e kishte ndaluar veturën aty për shkak të një defekti, i kërkoi Yllit një çelës për ndërrimin e gomave. Ylli kishte ndaluar veturën e tij në shiritin për ndalje emergjente dhe kishte dalë nga vetura për ta ndihmuar, raporton Kiks Kosova.
Minutat e ardhshëm ndryshuan rrënjësisht jetën e Yllit.
Një veturë me shpejtësi të madhe, e cila drejtohej nga Sami Kelani, kishte devijuar rrugën duke goditur veturën e ndalur afër të cilës ishin Yll Syla, L.T., dhe dy nipërit e këtij të fundit.
Nga goditja e fortë që pësuan, Ylli dhe L.T., përfunduan jashtë rrethojave të metalta të autostradës, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Ndërsa, dy personat e tjerë u lënduan lehtë.
Për rastin që do të ndryshonte jetën e studentit të Infermierisë dhe të tyre, prindërit e Yllit mësuan rreth një orë më vonë, në orën 19:35, kur një zyrtar policor u lajmërua në telefonin e të riut.
Nga plagët që mori Ylli për 12 ditë luftoi për jetë. E si pasojë e lëndimeve të shumta qëndroi dy muaj në karrocë, pastaj lëvizjen e vazhdoi me shëtitore.
Për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme, 20-vjeçari po vazhdon ende fizioterapinë.
Nga lëndimet e rëndë që pësoi në aksident, Ylli humbi një pjesë të kujtesës. E ëma e tij thotë se i 20-vjeçari nuk e mban mend aksidentin, kohën e kaluar në spital, madje as ngjarjet që kanë ndodhur në tri vitet e fundit.
Këto probleme ia pamundësuan 20-vjeçarit vazhdimin e studimeve për Infermieri.
Kiks Kosova ka kontaktuar edhe me L.T., personi tjetër i lënduar rëndë në këtë aksident, i cili pësoi gjakderdhje në tru, mirëpo ai nuk pranoi të prononcohet lidhur me këtë rast.
https://youtu.be/Ia2o-_BqADU
●●●
DMSHKRIMI NGA
Donjeta Murselaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.