Lajmet e fundit

Momente shqetësuese u panë gjatë sesionit kualifikues të MotoGP në pistën e Sachsenringut, të shtunën paradite.
Piloti italian Marco Bezzecchi humbi kontrollin e motoçikletës së tij Aprilia në kthesën e shtatë, me një shpejtësi prej rreth 140 km/h, duke u rrëzuar rëndë dhe duke u rrotulluar disa herë në pistë.Për disa minuta, Bezzecchi qëndroi i shtrirë në zonën e zhavorrit, duke shkaktuar ankth te tifozët dhe ekipi i tij.
Fatmirësisht, ai u ngrit në këmbë dhe u transportua nga një komisar i pistës drejt bokseve.Ky është një tjetër goditje e rëndë për italianin, shkruan Bild, transmeton Klankosova.tv.
Para fillimit të fundjavës së garës, ai kishte deklaruar:
"Kam ende dhimbje pothuajse në të gjithë trupin, përveç krahëve. Ndihem sikur trupi im është shtypur”.
Sipas ish-pilotit dhe ekspertit të ServusTV, Stefan Bradl, aksidenti u shkaktua nga një gabim gjatë ndërrimit të marsheve.
"Ai kaloi nga marshi i tretë në të katërtin. Në atë moment hoqi gazin dhe u përpoq të ndryshonte drejtimin. Kjo krijoi shumë ngarkesë në gomën e pasme, duke shkaktuar një 'highsider'."
Pas aksidentit, Bezzecchi u detyrua të ndërpresë menjëherë kualifikimin.
Si pasojë e dëmtimit, piloti i Aprilias nuk do të vazhdojë pjesëmarrjen në Çmimin e Madh të Gjermanisë.