Akrepat po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në qytetet e Brazilit, me një rritje alarmante prej 250% të rasteve të pickimeve në periudhën 2014–2023.
Sipas studimit të publikuar në Frontiers in Public Health, mbi 1.1 milion raste janë raportuar në këtë periudhë.
Shkaktarët kryesorë janë urbanizimi i shpejtë dhe i pakontrolluar, si lagjet e varfra (favelat) – dhe ndryshimet klimatike. Këto zona u ofrojnë skorpionëve strehim të bollshëm, ngrohtësi konstante dhe ushqim të mjaftueshëm, sidomos përmes pranisë së buburrecave.
Skorpionët preferojnë kanalizimet, ku nuk kanë grabitqarë dhe mund të jetojnë për më shumë se një vit pa ushqim. Ata mund të shumohen edhe pa çiftim, duke e bërë eliminimin e tyre të vështirë, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm në vitin 2024, janë raportuar rreth 200,000 pickime dhe 133 vdekje në Brazil. Studiuesit paralajmërojnë se në dekadën e ardhshme mund të ketë mbi 2 milion raste të reja.
Fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit, ndërsa simptomat përfshijnë dhimbje, djegie, enjtje dhe të vjella. Ekspertët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim dhe parandalim përmes pastrimit të ambientit dhe mbylljes së hapësirave ku ata mund të fshihen.
“Akrepat nuk janë armiqtë tanë, ata thjesht mbrohen,” tha Manuela Berto Pucca, autore e studimit, duke shtuar se ata luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistem.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kuriozitete dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.