Partia Demokratike ka njoftuar për përfshirjen Besim Hasanit, dikur president i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Veç tij, në partinë që drejtohet nga Bedri Hamza, aderoi edhe profesori universitar e studiuesi i politikave publike e sigurisë , Gëzim Qerimi, për të cilin Hamza s’kurseu lëvdatat.
Ditë më parë në PDK shkoi edhe mjeku Adriatik Berisha, që i njohur u bë gjatë vizitës së ish-presidentit Thaçi në Kosovë, kur kujdesej për babanë e tij.
Dyert u hapën edhe në Lidhjen Demokratike, ku aderuan gazetarë, ekonomistë e ekspertë të teknologjisë informative.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku dha lajmin për profesorin Astrit Desku, e më herët edhe për Ermal Sadikun e Festim Kabashin. Të gjithë në listën e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në listën e LDK-së, vend iu bë edhe Janina Ymerit, që së fundmi publikoi, siç tha ajo, skandale në KEK.
Krahas tyre, vend iu bë edhe ish-komandantit Gëzim Hazrolli e këngëtares Adelina Thaqi.
Risi ka edhe në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku të dielën u zyrtarizua Ardian Kastrati, dikur deputet i PDK-së. Me të në listë, rikthehet dikur deputeti i kësaj partie, më vonë inspektor në AKI, Burim Ramadani.
Bashkë me ta do jetë edhe Neurologu Gentian Lila, profesori i shkencave të histories, Veli Kryeziu si edhe mjekja e përgjithshme, Mbresa Dina.
Vetëvendosje deri më tani nuk publikoi asnjë aderim të ri, por, kështu nuk veproi partneri i koalicionit, partia GUXO.
Analisti politik, Blerim Gashi, të dielën, dhe Viktor Buzhala një ditë më parë, janë dy emrat që i hynë garës për ligjvënës, në partinë e Donika Gërvallës e Faton Pecit.
https://www.youtube.com/watch?v=neZqVTXX66Y
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.