Lajmet e fundit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas shortit të sotëm për play-off të Ligës së Kombeve, ku kombëtarja e Kosovës do të përballet me Islandën.
Ai ka theksuar se, megjithë humbjet e mëparshme nga ky kundërshtar, ekipi i Kosovës tani është në një formë më të mirë dhe se beson se do të arrijnë sukses. “Shpresoj që futbollistët tanë të jenë në formë dhe pa lëndime. Këto janë dy ndeshje të rëndësishme dhe ne do të shkojmë për fitore”, tha Ademi, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka shprehur një optimizëm të ngjashëm, duke theksuar se shanset janë të barabarta dhe se skuadra është e gatshme për këtë përballje. “Islanda është një skuadër e fortë, por ne jemi gjithashtu në një gjendje të mirë. Shanset janë 50 me 50 dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Ligën B”, u shpreh Foda.
Të dy shprehën besimin se Kosova ka potencialin dhe ekipin e duhur për të kaluar në fazën tjetër të Ligës së Kombeve, duke i dhënë fund pritshmërive dhe duke i kthyer shpresat në një mundësi reale për sukses.