Në Shqipëri është duke u zhvilluar një debat i madh për kinematografinë e krijuar gjatë komunizmit dhe filmat e realizuar atëherë, por që tani po emetohen vazhdimisht në televizionet shqiptare.
Debati ka konsistuar në atë se a duhet të lejohen, apo të ndalohen këta filma, dhe për këtë është pyetur edhe shkrimtari Ismail Kadare, në një bashkëbisedim me lexuesit e tij në tetarin e Klan Kosovës.
Kadare pohoi se nevojitet një seleksionim i këtyre filmave, pasi që disa prej tyre vërtetë kanë mesazhe të rënda dhe të pavërteta, por ai pohoi se ka edhe filma të tillë që edhe sot e kësaj dite do të mund të shikoheshin.
Sipas shkrimtarit, në mes të ndalimit të tërësishëm dhe lejimi të pakontrolluar duhet të gjendet një mes dhe një ekuilibër.
“Shfaqja e filmave të kohës së sistemit komunist është një temë shumë e thellë dhe kërkon një diskutim me karakter shumë profesional. Për mua ka qenë diskutim i tepruar nga të dyja palët. Ka qenë pak radikal si diskutim. E vërteta është midis të dyjave. Jo për të bërë kompromis, por; e para nuk është normale që të jepen gjatë vitit, 100 a 200 filma që mbrojnë një propagandë të një rendi të përmbysur për jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në botë, por nga ana tjetër, s’është e gjithashtu, as demokratike, as normale, as europiane ndalimi me ligj i kësaj gjëje”, ka deklaruar Kadare, njofton Klan Kosova.
“Për këtë çdo shtet, çdo vend ka mekanizmat e tij që gjen atë kompromisin në këtë akt, mundohet të vendos një ekuilibër, një drejtpeshim”.
“Po marrë anën negative të shfaqjes së këtyre filmave kaq gjerësisht. Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme që të shikojë sot spektatori shqiptar, filma ku ka personazhe fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit. S’ka përse ta shikojë publiku shqiptar këtë shëmti, që s’ka qenë kurrë. Prandaj kjo është anormale”.
“Nga ana tjetër, ka edhe filma pak a shumë normal, dhe sikurse në vende të tjera komuniste ka pasur filma mizorë të këqij jashtëzakonisht, dhe pastaj filma të bukur, filma të mirë që shikohen edhe sot me kënaqësi”.
klankosova.tv