Është zyrtarizuar transferimi i mbrojtësit, Albian Hajdari në Bundesligë.
Futbollisti 22-vjeçar shqiptar largohet nga Lugano për të veshur fanellën e Hoffenheim, me të cilin ka nënshkruar kontratë afatgjatë.
Drejtori sportiv i klubit gjerman, Andreas Schicker, ka shpjeguar arsyet e këtij afrimi.
"Pas dëmtimit të rëndë të Koki Machida, kishim nevojë të forconim qendrën e mbrojtjes. Me Albianin kemi gjetur profilin ideal: i ri, këmbëmbarë, me eksperiencë në kampionatin zviceran dhe në garat evropiane. Po e ndiqnim prej kohësh dhe jemi shumë të lumtur ta kemi këtu."
Nga ana tjetër, Hajdari është shprehur entuziast për këtë hap të madh në karrierë.
"Jam shumë i lumtur për këtë sfidë të re në një nga ligat më të mira të Evropës. Bisedimet me drejtuesit kanë qenë shumë pozitive dhe besoj në projektin që më është paraqitur. Do të jap maksimumin për objektivat e klubit."
Hajdari është rritur në akademinë e Baselit, më pas kaloi te Juventus në vitin 2020, para se të rikthehej sërish në Zvicër.
Në vitin 2022 ai kaloi te Lugano, ku në tre sezone regjistroi 110 ndeshje, 5 gola dhe 1 asist në kampionat, kupë dhe garat evropiane. Në mars 2025, ai debutoi me kombëtaren e Zvicrës, në fitoren 3-1 ndaj Luksemburgut, pasi më parë kishte përfaqësuar të gjitha grupmoshat e reja të helvetikëve.
Ky transferim në Bundesliga shihet si një hap i madh për zhvillimin e tij, por edhe një mundësi për t’i treguar cilësitë në një skenë më të madhe./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.