Pas një periudhe të pasigurt dhe bllokimi të gjatë, klubet e futbollit në Kosovë kanë marrë lejen për të vazhduar me procedurat për marrjen e vërtetimeve të sponsorizimeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Ky zhvillim vjen pas një takimi të komisionit përkatës dhe sinjalizimit pozitiv, përkohësisht nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Përfaqësues të klubeve futbollistike kanë konfirmuar për KosovaPress marrjen e njoftimeve zyrtare, por gjithashtu kanë shprehur shqetësime për ndërlidhjen e çështjeve të licencimit të federatës me funksionimin financiar të klubeve.
Megjithatë, zhbllokimi mbetet i përkohshëm, pasi nëse FFK nuk mban kuvendin e paralajmëruar në qershor për të harmonizuar aktet me Ligjin për Sport, vërtetimet mund të pezullohen sërish. Kështu ka bërë të ditur Fidan Shatri, drejtor për komunikim me federata brenda MKRS-së.
Deri atëherë, ky zhvillim shënon një lehtësim të përkohshëm për klubet e futbollit në Kosovë, të cilat deri tani janë përballur me vështirësi në marrjen e vërtetimeve për sponsorizime për shkak të moslicencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). /kp
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.