Lajmet e fundit

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, sot ka paraqitur pjesën e dytë të kabinetit presidencial.
Sipas Taravarit, përbërja e kabinetit të tij do të ndërtohet mbi parimet e gjithëpërfshirjes dhe meritokracisë, ndërsa pas 8 majit, Presidenca do të jetë institucion i hapur.
"Me mua President pas fitores sonë të 8 majit, Presidenca do të jetë institucion i hapur për çdo qytetar. Presidenca do të jetë edhe përfaqësues e realitetit të shoqërisë sonë multi-nacionale, multi-etnike dhe multi-kulturore. Qytetarët meritojnë të përfaqësohen nga njerëz të kualifikuar dhe të dëshmuar nëpër fusha të ndryshme të jetës publike, nga më të mirët ndër ta, kontributi i të cilëve do të shtrihet deri te të gjitha shtresat e shoqërisë", tha Taravari.
Taravari theksoi se kabineti i tij do të përbëhet nga njerëz të dëshmuar.
"Më lejoni t’i prezantoj anëtarët e kabinetit tim që janë sot para jush: Ambasador Halim Hyda do të jetë këshilltar diplomatik i Presidencës. Jasmin Kalac do të jetë këshilltar ligjor i Presidencës ", tha Taravari.
Për këshilltar për Siguri dhe Mbrojtje, Taravari e përmendi Urim Vejselin, ndërsa për zëdhënës ka caktuar Arianit Rekën. /Klankosova.tv