Nuk do të ketë ngërç të ri politik. Nuk do të ketë paralizë institucionale. Nuk do të ketë zgjedhje të reja (të treta), për vetëm 14 muaj. Nuk do të ketë krizë buxhetore.
Do të themelohen Kuvendi dhe Qeveria e re në një afat relativisht të shkurtër kohor. Do të zgjedhet edhe Presidenti/ Presidentja e Kosovës në fillim të muajit mars.
Më në fund, prej gjysmës së muajit mars të vitit të ardhshëm e tutje, do të mund të konstatohet prej të gjithë neve që politika kosovare i është kthyer një normaliteti nga i cili ishte zhvendosur qysh në vjeshtën e vitit të kaluar (2024), kur u bë e ditur se zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.
Ky ‘vit politik’ në kuptimin e plotë të fjalës pra, do të zgjatë shumë më tepër se sa një vit kalendarik, apo diku 18 muaj të plotë, nga tetori i vitit 2024 deri në marsin e vitit 2026, kur ai do të përmbyllet me zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës.
Këtë ‘vit politik’ e kanë karakterizuar problemet dhe paqartësitë e mëdha, pastaj droja e përhapur gjithandej që nuk do të arrijmë të dalim prej tij as në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, gjë që pastaj do të rrezikonte që edhe viti 2026 të klasifikohet si një tjetër vit i humbur.
Por ja që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, si epilog i tyre, si rezultat final që na u shfaq fare herët, diku në ora nëntë e gjysmë në mbrëmje (dy orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve në të cilat dhanë votën e tyre mbi 900 mijë qytetarë të Kosovës), u kuptua që qytetarët kishin vendosur, në atë përbashkësinë e vullneteve të tyre individuale, t’i ofrojnë një qartësi të plotë skenës politike të Kosovës, duke i shmangur kështu të gjitha skenarët për një vazhdimësi të vendnumërimit politik, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin afatgjatë të vendit.
Epërsia e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ si rezultat i këtyre zgjedhjeve, me një votë që tejkalon bindshëm gjysmën e votës së qytetarëve shqiptarë, dhe që në këtë aspekt krahasohet me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, ka fshirë prej faqes së dheut çdo dyshim për rrjedhat pas-zgjedhore në skenën politike në Kosovë, dhe qysh tash, kur ende jemi në vitin kalendarik 2025, objektivisht, ka shënuar ditët e para të një ‘viti të ri politik’.
Po shihet pra edhe këtu, në këtë shkrim, që koha në politikë matet ndryshe nga ajo e zakonshmja që rrjedh me të veten.
Në politikë, koha mund të ketë ngecje të plotë, siç na ndodhi zaten neve tash e mbi një vit, apo, mund të ndodhë që përnjëherësh, ajo nisë të hapëron shpejt dhe t’i çelë dyert që vetëm pak kohë më parë dukeshin të hekurta.
I gjithë ky ndryshim erdhi me 12 orë shprehje të vullnetit të qytetarëve të Kosovës në trajtë të votimit që u bë të dielën e kaluar.
Natyrisht, edhe kësaj here patëm zgjedhje demokratike në kuptimin më të mirë të fjalës dhe askush nuk po e konteston rezultatin e tyre, në këtë dimensionin e votës dhe të renditjes partiake, teksa mbetet të shihet se si do të përmbyllet numërimi i votave për kandidatët e partive për postin e deputetit.
Nuk ka dyshim që vendit i është dashur kjo qartësi politike, dhe një udhë-tregues evident prej ditës së zgjedhjeve, deri te dita kur do të duhej të bëheshin (të gjitha), institucionet e pushtetit qendror.
Tej kësaj qartësie pa të cilën nuk bën fare në politikë, është një tjetër cilësi që është në mungesë tash e sa vite në politikën kosovare, dhe e cila do të na duhet në vitin 2026, i cili për shumë shkaqe (vendore dhe ndërkombëtare) pritet të jetë shumë sfidues.
Kjo cilësi ka të bëjë me aftësinë dhe vullnetin për bashkëpunim në mes të pushtetit dhe opozitës në çështjet të cilat realisht nuk kanë njësi matëse pushtetin dhe opozitën por interesin nacional të Kosovës.
Këtu zaten veçohet cilësia supreme në politikën e një shteti.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.