Me temën “Kosova vjen mes vargjesh” është hapur Festivali “Ditënetët e Librit”, nga Klik Ekspo Group, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Në këtë sesion të parë u lexuan vargje të poetëve nga Kosova, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli e Rexhep Hoti.
Zëvendësministri Rexhep Hoti, njëherësh poet e shkrimtar, në ceremoninë inauguruese të Festivalit, u nderua me medaljen mirënjohëse “Shqiponja e Artë”, me motivacionin “Për përkushtimin me të cilin kontribuon në përçimin e vlerave të kulturës dhe artit në mbarë trojet shqiptare, përmes angazhimeve serioze në nismat përbashkuese, kontributin në fushën studimore të veprës të Ismail Kadaresë, si edhe krijimtarisë së spikatur poetike.”
Hoti falënderoi organizatorët për këtë festival të rëndësisë së veçantë jo vetëm për faktin që organizohet për herë të parë në një natyrë të këtillë, po edhe që ka përzgjedhur si tematikë të parë Kosovën.
“Festivali është një shembull i veçantë që ofron mundësinë që nëpërmjet librit të nxitet avancimi i trungut tonë të përbashkët kulturor ndërmjet dy republikave tona”, tha zëvendësministri Hoti në fjalën e tij falënderuese. Veçmas ndjehem i lumtur që hapja e festivalit kishte ngjyrim me krijimet e poeteve ekskluzivisht nga Kosova”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro–Furxhi, festivalin e vlerësoi si një hapësirë dhe atmosferë mikpritëse për njerëzit që duan librin, për ata që e shkruajnë dhe për ata që e lexojnë atë.
“Së pari ju falënderoj për praninë tuaj dhe ju uroj për vlerësimin e panairit! Ishte kënaqësi për ne që ju kishim në hapje të DitëNetëve”, i ka thënë ndër të tjera ministrja Kumbaro zëvendësministrit Hoti.
Festivali i cili organizohet nën vulën e Elona Agollit, bijës së poetit të shquar shqiptar, tashmë të ndjerë Dritëro Agollit, do të organizojë më shumë se 70 aktivitete që do të mbahen në Muze në Tiranë, në Akademinë e Arteve, në Lezhë e Fier. Përkthimet e mëdha, veprat e mëdha, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj e mandej literaturë gjuhësore në një takim me Ledi Shamku-Shkrelin. Ajo çfarë synohet është një festë dite e nate, që nis nga libri, për t’u përbashkuar në zhanre të tjera arti.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.