Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me shëndetin e presidentit rus Vladimir Putin, duke pohuar se ai do të vdesë së shpejti. Kjo deklaratë ka rritur spekulimet mbi gjendjen shëndetësore të liderit të Kremlinit, për të cilin janë bërë vazhdimisht thashetheme për problemet shëndetësore.
Zelensky ka bërë këto komente gjatë një interviste me gazetarët në Paris, pas një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron. "Ai (Putini) do të vdesë së shpejti, dhe ky është një fakt dhe do të marrë fund," ka thënë presidenti ukrainas.
Vlerësimi i Zelenskyt për shëndetin e Putinit është një temë që ka shqetësuar shumë herë analistët dhe observatorët ndërkombëtarë. Pavarësisht përpjekjeve të Putinit për të ruajtur një imazh të fortë dhe të padiskutueshëm, lideri rus është përballur me thashetheme dhe spekulime të vazhdueshme për shëndetin e tij të dobët, shkruan Metro.co.uk, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, vitet e fundit, Putini, 72 vjeç, është shfaqur me fytyrë të fryrë, dhe sy të skuqur, duke nxitur më tej spekulimet për mundësinë e problemeve shëndetësore. Një incident që ndodhi në vitin 2022, kur ai u shtrir në një karrige dhe mbante me duar tavolinën gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, pati shkaktuar shqetësime mbi gjendjen e tij fizike. Ka pasur gjithashtu raportime që sugjerojnë se Putin kollitet vazhdimisht dhe bëri lëvizje të pavullnetshme me duar dhe këmbë, të cilat duken të paplanifikuara.
Për më tepër, ka pasur pretendime se Putin mund të vuajë nga kanceri dhe sëmundja e Parkinsonit. Ndërkohë, gjatë intervistës së tij të mbrëmshme, Zelensky pohoi gjithashtu se Putin po përpiqet të "godasë" Bashkimin Evropian nga brenda, duke përdorur shtetet anëtare më miqësore ndaj Rusisë, si Hungaria.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të ketë një ndikim të madh global. Shëndeti i Putinit, nëse vërtetohet që ka probleme serioze, mund të ketë pasoja për politikën e brendshme dhe ndërkombëtare të Rusisë, dhe gjithashtu mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohen ngjarjet në terrenin e luftës.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.