“Scrolling”, ekspozita nga artisti Yll Xhaferi është hapur mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Përmes ilustrimeve të ndryshme Xhaferi ka paraqitur arkitekturën e qytetit, një rrugëtim përmes historisë e kujtimeve dhe ndikimin e jetës urbane tek individët.
Nëntë ilustrimet paraqesin fragmente të ndryshme të qytetit, ku secila pamje lidhet me ndikimin që ka në perceptim dhe në gjendjen mendore.
Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina, fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 si dhe pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme të artit vizuel si “Prishtina Mon Amour” , “Livrit”,“Bienale Meditterana”, si dhe ekspozitën e tij personale “Toy Story”.
Vjosa Berisha nga Qendra Kulturore dhe Informative e BE-së ka bërë të ditur se kjo ekspozitë shënon edhe fillimin e një serie të re të ekspozitave që do te paraqiten në këtë qendër.
Ekspozita “Scrolling” do të qëndrojë e hapur për një muaj.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
A
SHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.