Granit Xhaka, është zyrtarizuar sot si transferi më i ri i klubit të rikthyer në Premier League, Sunderland.
Ai i dha fund aventurës së tij te Bayer Leverkusen, pas dy sezoneve fantastike atje, duke arritur që me "Farmacistët" ta fitojë Bundesligën për herë të parë në histori si dhe Kupën e Gjermanisë, derisa në finale të Europa League ishte mposhtur nga Atalanta.
Xhaka ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin nga “Stadium of Light”.
32 vjeçari ka pasur edhe një përvojë paraprake në Premier League me Arsenalin.
Ai ka zhvilluar 225 ndeshje, ku fitoi dy herë FA Cup dhe mbajti shiritin e kapitenit të “Topçinjve”.
Performanca e tij mbresëlënëse e renditi në vendin e 16-të në votimin për Topin e Artë 2024, ndërkohë që me kombëtaren e Zvicrës, të cilën e ka udhëhequr si kapiten që nga viti 2020, Xhaka është lojtari me më së shumti paraqitje në histori, plot 137 ndeshje me fanellën helvetike.
Për Sunderlandin, ky transferim është një goditje e madhe në merkato dhe një sinjal i qartë për ambiciet e klubit, ndërsa për Xhaka-n paraqet një sfidë të re në një kampionat që e njeh shumë mirë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.