Lajmet e fundit

Situata në veriun e Kosovës ditëve të fundit është tensionuar, gjë që ka rezultuar me ngritjen e serishme të barrikadave nga serbët lokalë.
Nga atje, Policia ka raportuar për të shtëna ndaj tyre nga grupe kriminale, gjë që ka detyruar forcat policore të përgjigjen po ashtu me të shtëna mbrapa, raporton Klankosova.tv.
Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar vendorë e ndërkombëtarë, e mes tyre janë edhe institucionet e Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit shqiptar, Lindita Nikolla, ka thënë se zhvillimet në veri të Kosovës janë shqetësuese, ndërsa ka theksuar se autoritetet e Kosovës po tregojnë përgjegjësi e maturi.
“Zhvillimet në veri të Kosovës janë shqetësuese. Dhuna ndaj policisë së Kosovës dhe EULEX është e dënueshme. Autoritetet e Kosovës po tregojnë përgjegjësi e maturi”.
Ajo ndër të tjera ka kërkuar përmbajtje nga autoritetet serbe, të cilat, thotë Nikolla, duhet të kontribuojnë në pengimin e përshkallëzimit të situatës.
“Por këto qëndrime duhet të pasohen nga përmbajtja e autoriteteve serbe, në mënyrë që edhe këto të fundit të shfaqin përgjegjësinë dhe të kontribuojnë në pengimin e përshkallëzimit të situatës”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Veç saj, ka reaguar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj forcave të Policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it.
“Dënojmë fuqishëm sulmet në veri të Kosovës ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Shqipëria i bashkohet thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet serbe në veri. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”, shkroi Xhaçka.
Më herët reagoi edhe kryeministri Edi Rama. /Klankosova.tv