Të hënën, më 26 maj, Xabi Alonso nënshkroi zyrtarisht kontratën e tij si trajner i Real Madridit, duke e zgjatur mandatin e tij deri më 30 qershor 2028.
Në konferencën e parë për media, Xabi përveç shumë detajeve që dha ka folur edhe për pozicionin e Jude Bellingham, për të cilin tha se mund të jetë i veçantë kudo që luan.
“Ai mund të jetë i veçantë kudo që luan sepse është një lojtar i veçantë. Do të jetë një lojtar vendimtar për ne në vitet e ardhshme dhe kjo është një kohë e shkëlqyer për të punuar me të dhe për t'u siguruar që ai është një pjesë kyçe e asaj që duam të bëjmë. Ne duam që ai ta përdorë potencialin e tij në mënyrën më efikase të mundshme”, u shpreh Alonso.
Derisa, për Mbappenë dhe Vini Jr, Alonso u shpreh se është jashtëzakonisht me fat që Reali ka lojtarë të asaj cilësie.
"Është jashtëzakonisht me fat që kemi lojtarë të asaj cilësie, ndër shumë të tjerë gjithashtu. Janë dy djem që bëjnë diferencën dhe ne duhet të nxjerrim më të mirën nga të dy. Nëse japin gjithçka, kjo do të jetë një ekip fitues. Kam disa ide dhe ka ende pak kohë para se të flas me ta, por do të punoj për to. Gjërat funksionojnë më mirë kur ka lidhje dhe komunikim të mirë. Ata janë lojtarë të nivelit të lartë dhe kjo është puna ime”. / Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.