Rastet e njëpasnjëshme të vrasjeve dhe incidenteve të rënda me armë zjarri gjatë javëve të fundit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë publike në Kosovë. Ngjarje të ndodhura në Ferizaj, Dragash, Podujevë dhe komuna të tjera kanë tronditur opinionin publik, duke nxitur debat për efikasitetin e institucioneve në parandalimin e kriminalitetit dhe zbatimin e politikës ndëshkuese.
Sipas statistikave të publikuara, gjatë vitit 2025 në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje, krahasuar me 17 raste në vitin 2024. Ndërkohë, rastet e dhunës në familje vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, me mbi 2,400 raste të raportuara gjatë vitit të kaluar. Edhe pse statistikat nuk tregojnë një rritje të madhe vjetore, përqendrimi i ngjarjeve të rënda brenda një periudhe të shkurtër kohore ka rritur ndjeshëm shqetësimin e qytetarëve, raporton Kiks Kosova.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se është e nevojshme të analizohet nëse Kosova po përballet me rritje të formave të caktuara të kriminalitetit, veçanërisht të krimeve të dhunshme. Sipas tij, në një vend të vogël si Kosova, çdo vrasje ka ndikim të madh në perceptimin e sigurisë.
Ibishi thekson se përgjegjësia për luftimin e kriminalitetit nuk bie vetëm mbi Policinë e Kosovës, por kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Policisë, qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Ai vlerëson se disa raste nuk po marrin trajtimin e duhur nga gjykatat, duke kërkuar një qasje më efektive në ndëshkimin e autorëve.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga eksperti i sigurisë mbetet posedimi i armëve pa leje. Sipas tij, armët vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në numrin e vrasjeve dhe plagosjeve. Për këtë arsye, ai propozon që institucionet të shqyrtojnë mundësinë e një fushate ose mekanizmi për dorëzimin vullnetar të armëve, me qëllim uljen e numrit të tyre në qarkullim.
Në të njëjtën linjë, njohësi i çështjeve ligjore, Ardian Bajraktari, vlerëson se trendi i rasteve të dhunshme është shqetësues dhe se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të përbëjë rrezik serioz për sigurinë publike.
Sipas Bajraktarit, një problem i theksuar mbetet edhe recidivizmi, pasi shumë persona rikthehen në kryerjen e veprave penale edhe pasi kanë qenë të dënuar më parë. Ai konsideron se kjo dëshmon se dënimet nuk po arrijnë gjithmonë efektin e tyre në risocializimin e të dënuarve dhe në parandalimin e krimit.
Eksperti ligjor thekson se legjislacioni penal ofron baza të mjaftueshme për shqiptimin e dënimeve, por problemi qëndron te politika ndëshkuese dhe mënyra e zbatimit të saj në praktikë. Sipas tij, gjykatat duhet ta konsiderojnë recidivizmin si rrethanë rënduese dhe të shqiptojnë dënime më të ashpra në rastet kur autorët përsërisin veprat penale.
Njëkohësisht, ai kërkon hartimin e një strategjie shtetërore për reduktimin e armëve në posedim të qytetarëve, duke argumentuar se ulja e numrit të armëve ilegale dhe një politikë ndëshkuese më efektive do të ndikonin drejtpërdrejt në parandalimin e krimeve të dhunshme.
Të dy ekspertët pajtohen se luftimi i kriminalitetit kërkon një qasje të koordinuar ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Forcimi i masave parandaluese, zbatimi më rigoroz i ligjit, kontrolli i armëve ilegale dhe një politikë ndëshkuese më konsistente konsiderohen hapa të domosdoshëm për rritjen e sigurisë publike dhe uljen e rasteve të dhunës në Kosovë.
Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:
https://youtu.be/T5HiOW0-iTk
https://youtu.be/JovRFre2CKY
Ndiqeni emisionin e plotë: