Vrapuesja britaneze, Joasia Zakrzewski, e cila u skualifikua nga një ultra-maratonë pasi hipi në një makinë për një pjesë të garës, duke fituar në fund medaljen e tretë, tha se ajo “nuk po mendonte qartë” kur pranoi medaljen.
Zakrzewski u akuzua se udhëtoi katër kilometra të rrugës me makinë, pasi u gjurmua nëpërmjet të dhënave të hartës GPX duke vrapuar 1.6 kilometra në vetëm një minutë e 40 sekonda. Ajo u kap kur të dhënat e gjurmimit treguan se ajo kishte arritur një shpejtësi "super-njerëzore" prej 15 metrash për sekondë - shumë më shpejt se kampioni olimpik Usain Bolt në kulmin e tij.
Vrapuesja ultra-maratonike tha se veprimet e saj nuk ishin "të qëllimshme" dhe se ajo e pranoi udhëtimin me veturë pasi filloi të çalonte në gjysmë të garës.
Në një intervistë për BBC, ajo mohoi pretendimet se do të “mashtronte qëllimisht” dhe këmbënguli se ajo që ndodhi “nuk ishte keqdashëse”.
47-vjeçarja nga Dumfries, Skoci, tha se gjatë garës ajo filloi të përjetonte dhimbje në këmbë që u bë aq e keqe sa kur pa një shoqe vendosi të dorëzohej në pikën tjetër të kontrollit për t'u treguar marshallëve që po tërhiqej.
Kur ajo mbërriti në pikën e kontrollit, Zakrzewski pretendoi se u tha zyrtarëve të ngjarjes se kishte qenë në makinë dhe po largohej, por se megjithatë ata e bindën atë të vazhdonte në një 'mënyrë jo konkurruese' duke i thënë: 'Do ta urresh veten nëse ndalesh'.
Kur ajo përfundoi garën, ajo mori një medalje, trofe dhe pozoi për fotografi, por tha se ky ishte një 'gabim masiv' dhe se ajo duhet t'i kishte kthyer mirënjohjet, shkruan DailyMail, transmeton Klankosova.tv.
Zakrzewski shtoi se ajo ishte 'shkatërruar' nga reagimet që ka marrë, duke përfshirë disa që bënin thirrje për një ndalim të përjetshëm për atleten.
●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.