Kosova fitoi të drejtën e organizmit të Kampionatit Ballkanik U20 për volejbollin e meshkujve, si organizimin e garës “Beach Volley” për femra dhe meshkuj për moshat deri në 22-vjeç.
Sekretari i Federatës së Volejbollit, Valon Nikqi, deklaroi për KosovaPress se është bërë një punë e madhe për të shënuar një tjetër të arritur për sportin e Kosovës.
“Ne si federatë kemi arritur ta fitojmë të drejtën e organizimit të Kampionatit Ballkanik për meshkuj U20 si dhe për kampionatin e ‘Beach Volley’ për meshkuj dhe femra U22”.
“Të them të drejtën këtë vit ka pasur konkurrencë shumë të fortë për shkak se ne jemi paraqitur edhe për organizimin e disa garave mirëpo ka pasur edhe federata të tjera që kanë dashur të organizojnë kështu që në një farë mënyre ne i kemi marrë disa dhe federatat e tjera disa”, tha Nikqi.
Tetë shtete tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik, por ky numër pritet të rritet për shkak të rëndësisë që ka ky kampionat i cili pritet të zhvillohet gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.
“Pjesëmarrjen në këtë garë e kanë konfirmuar tetë shtete mirëpo është edhe një afat kur do të caktohet pjesëmarrje definitive, presim ndoshta që ky numër të rritet mirëpo ndodh që ndonjë shtet, varësisht edhe prej kohës kur organizohet, mund edhe të heq dorë mirëpo duke e ditur nivelin e kësaj gare dhe interesin e shteteve pjesëmarrëse po besoj që ky numër gjithsesi do të rritet”, tha tutje ai, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv
Serbia është pjesëmarrëse e rregullt e kësaj gare përgjatë viteve, por fakti që kësaj radhe zhvillohet në Kosovë, prania e saj është në dyshim.
Megjithatë, sekretari i FVK-së thotë se ata janë të gatshëm të ofrojnë kushte të barabarta sikur për të gjitha shtetet e tjera sepse, sipas tij, Kosova nuk dëshiron të shkaktojë probleme në këtë drejtim.
“Ne çdo herë kemi pasur qasje konstruktive në raport me këto ngjarje. Ne i kemi caktuar prioritetet tona në garat në të cilat do të marrim pjesë. Gjithashtu ne kemi ofruar për të gjitha shtetet, jo vetëm për Serbinë mirëpo ne do t’iu ofrojmë të gjitha shteteve që dëshirojnë të marrin pjesë në këto gara do ta kenë tretmanin e njëjtë. Normal që raportet e dy shteteve tona nuk janë në nivelin sikur me shtetet e tjera mirëpo ne iu kemi ofruar edhe Serbisë që nëse ata duan të marrin pjesë në Kosovë ne jemi të gatshëm t’iu ofrojmë siguri”, ka thënë ai, përcjell Klankosova.tv.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.