Lajmet e fundit

Elvis Presley ishte një këngëtar me talent të veçantë. Zëri i tij kishte cilësitë e një këngëtari kulminant të skenës, që me mjeshtëri mund t’i interpretonte të gjitha zhanret e popullarizuara amerikane, por finesa që kishte për t’i mishëruar këto në një stil të vetëm ishte ajo që e shndërroi në një prej fenomeneve më të rëndësishme kulturore të shekullit 20.
Përzierja e natyrshme që iu bëri muzikave rockabilly, blues, rhythm and blues, country dhe folk, mënyra se si mundi ta përfaqësojë këtë hibridizim gjenial nën ombrellën e zhanrit të sapolindur dhe tejet të popullarizuar rock’n’roll, e poashtu edhe pamja e tij prej bukuroshi me një talent të madh skenik, ishin diçka që jo vetëm e frymëzuan, por edhe formësuan artistikisht gjenerata të tëra që erdhën pas tij, duke përfshirë The Beatles, grupin më të rëndësishëm muzikor në histori.
Austin Butler, i angazhuar në rolin e Elvisit, bën një punë të shkëlqyeshme prej aktori dhe muzikanti, duke interpretuar në kitarë dhe duke i kënduar hitet e hershme të Presleyt, pikërisht ato që e bënë ta dominonte tregun muzikor botëror. Performanca e Butler është vlerësuar lart dhe ka nxitur krahasime me portretizime më të rëndësishme biografike-muzikore të dy dekadave të fundit si Johnny Cash nga Joaquin Phoenix, Ray Charles nga Jamie Fox, dhe, më rishtas, Freddie Mercury nga i jashtëzakonshmi Rami Malek.
Butler, një aktor i ri i lindur në vitin 1991, me një karrierë modeste prapa vetes, shoqërohet nga një prej veteranëve të artë të Hollywoodit, një nga aktorët më të suksesshëm dhe më të vlerësuar ndonjëherë, Tom Hanks (Philadelphia, Forrest Gump, Cast Away). Hanks luan rolin e Tom Parker, menaxherit që e zbuloi dhe plasoi Presleyn dhe që ishte vendimtar në suksesin e tij dhe kishte një marrëdhënie komplekse me këngëtarin, e cila është një nga temat qendrore të filmit, raporton Klankosova.tv.
Biopics, siç quhen në Hollywood filmat biografikë, gjithmonë kanë gjeneruar shumë interesim te publiku, por, në anën tjetër, shpesh janë konsideruar problematikë nga kritikët dhe komentuesit e specializuar, për shkak të marrëdhënies konfliktuoze mes faktit dhe trillimit që shpërfaqet kur një vepër artistike përmban një element të rëndësishëm historiografik.
Filmi që shpesh konsiderohet më cilësori nga të gjithë filmat biografikë mbi muzikantë është filmi Amadeus (Milos Forman, 1984), ndoshta pikërisht për shkak të rrëfimit gjysmë të trilluar dhe përqendrimit te personazhi i Mozartit dhe muzika e tij, më shumë sesa te specifikat e jetës së tij.
Megjithatë, sidomos që nga portretizimi gjenial i artistit Ray Charles nga aktori dhe muzikanti Jamie Foxx (Ray, 2004), ajo që vlerësohet më së shumti në një interpretim biografik të një muzikanti është aftësia e aktorit ta portretizojë artistin në performancë. Rami Malek, për shembull, mahniti botën me mënyrën se si i këndoi këngët e Queen dhe si e absorboi dhe projektoi performancën e paarritshme skenike të Freddie Mercury. Austin Butler, si duket, e ka bërë një punë ekuivalente në filmin 'Elvis'.
Viteve të fundit ka rënë në sy një interesim i shtuar në Hollywood për rrëfimet mbi muzikantët e rëndësishëm të shekullit të kaluar, ku filmat “Bohemian Rhapsody” dhe “Yesterday" prijnë për nga suksesi dhe cilësia. Duket sikur në epokën e online streaming – një kontekst totalisht i decentralizuar ekonomik, ku muzika e re bën një luftë të madhe për të dalë në sipërfaqe – muzika e vjetër që ishte e popullarizuar shumë kohë më parë, po triumfon në treg, dhe industria e filmit po mundohet të kapitalizojë.
MCR Data, kompani ndërkombëtare që hulumton dhe publikon statistika të tregut muzikor global, ka raportuar së voni se rreth 70% e tregut muzikor sot përfaqësohet nga muzika e vjetër.
200 këngët më të popullarizuara të krijuara në 18 muajt e fundit përfaqësojnë më pak se 5% të stream-eve totale nëpër platforma si Spotify dhe Youtube. Këto janë të dhëna të kobshme për artistet muzikorë që veprojnë sot, por, për Hollywoodin, është edhe një shans që ta bëjë atë që di ta bëjë më së miri – rikrijimin dhe plasimin në ekranin e madh të kinemasë e figurave mitike zeusiane, siç janë edhe këngëtarët e gjysmës së dytë të shekullit 20.