Kosova sot mirëpret për herë të dytë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në një ditë të veçantë për futbollin dhe vendin tonë.
Vizita e tij vlerësohet si dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme që FIFA i jep Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe zhvillimit të futbollit në vend.
Kreu i kësaj federate, Agim Ademi, u shpreh krenar për rikthimin e Infantinos, duke e cilësuar atë si mik të madh të sportit kosovar, transmeton Klankosova.tv.
Ai kujtoi se në vitin 2016, gjatë Kongresit të parë të Infantinos si president i FIFA-s, Kosova u pranua si anëtarja më e re e organizatës – një moment historik për vendin.
"Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë. Kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Kosovë për herë të dytë mikun tonë të madh, liderin që i ka dhënë dimension të ri zhvillimit të futbollit global, Shkëlqesinë e Tij, Gianni Infantino".
"Vizita e Presidentit Infantino është dëshmi e qartë e mbështetjes që FIFA i kushton Kosovës dhe Federatës sonë. Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, FFK u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s, një moment ky historik për vendin tonë por i veçantë edhe për z. Infantino.
"Që nga atëherë, futbolli ynë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm. Falë përkushtimit të institucioneve, donatorëve, klubeve, trajnerëve, lojtarëve dhe mbështetjes së FIFA-s dhe UEFA-s, Kosova ka marrë vendin që meriton në arenën ndërkombëtare. Programi “FIFA Forward” ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të femrave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale", tha Ademi.
Sipas Ademit, vizita e tij e dytë dhe dekorimi nga Presidentja Vjosa Osmani nuk është vetëm një simbol nderimi, por edhe frymëzim për gjeneratat e reja.
"Kjo na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin dhe barazinë.Kosova është një vend i ri, por me zemër të madhe sportive. Djemtë dhe vajzat tona ëndërrojnë të luajnë në skenat më të mëdha të futbollit botëror dhe me mbështetjen e FIFA-s dhe Presidentit Infantino, këto ëndrra shpresojmë të shndërrohen së shpejti në realitet".
"Në emër të gjithë komunitetit të futbollit kosovar dhe qytetarëve tanë, i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Presidentit Infantino për besimin dhe përkrahjen që i jep Kosovës.
Si President i FFK-së e siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë për zhvillimin e futbollit në çdo nivel, duke ndjekur parimet dhe vlerat që përfaqëson FIFA", shtoi kreu i FFK-së, transmeton Klankosova.tv.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.