Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se shëndetësisë publike të vendit do t'i shtohet edhe një shërbim i ri, bëhet fjalë për "Screeningun Neonatal".
Në një postim në Facebook, Vitia është shprehur se ky shërbim zbulon në kohë çrregullime të ndryshme e sëmundje të fshehta në mbrojtje të shëndetit mendor e fizik të fëmijëve.
"Programi përfshin testime për: Phenylketonuria (PKU) – një gjendje që mund të shkaktojë probleme në zhvillimin e trurit nëse nuk trajtohet. Fibrozën Cistike – një sëmundje që prek mushkëritë dhe sistemin e tretjes. Hipotireozën Kongjenitale – një problem me gjëndrën tiroide që mund të ndikojë në zhvillimin e foshnjave".
"Galaktoseminë (GALT) – një çrregullim metabolik që pengon trupin të përpunojë galaktozën që është e rrezikshme nëse nuk diagnostikohet e trajtohet në kohë. SMA (Atrofia Spinale Muskulare) – një sëmundje që prek muskujt dhe mund të çojë në dobësi të rëndë dhe probleme me lëvizjen nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët", ka thënë Vitia.
Poashtu, ai ka bërë të ditur se hapi i radhës do të jetë kryerja e testimeve gjenetike për të zbuluar sëmundjet e trashëguara, kjo në vazhdën e shërbimeve të reja në shëndetësinë publike. /Klankosova.tv
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.