Lajmet e fundit

Me dhënien e shumës shtesë prej 250 mijë eurosh, buxheti i QKK-së për herë të parë do të shkojë në 1 milion euro dhe do të jetë në funksion të subvencionimit të projekteve filmike për vitin 2016, thuhen në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, përcjellë Klan Kosova.
Më tej komunikata njofton për shumën e ndarë dhe arsyet e ndarjes së mjeteve të tjera financiare për Qendrën Kinematografike të Kosovës. Suksesi i filmit “Shok” që u nominua për Oscars thuhet të jetë një nga arsyet më të mëdha për marrjen e këtij vendimi nga Qeveria.
“Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar një fond shtesë prej 250 mijë eurove për Qendrën Kinematografike të Kosovës.Ky vendim është bërë në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 09/2011, dhe pas kërkesës së QKK-së, me nr. 24/2016, të 18 janarit 2016, për dhënien e një shume në vlerë prej 250 pesëdhjetë mijë eurove për mbështetjen e kinematografisë kosovare.Shuma në vlerë prej 250 mijë eurove do të jepet për mbështetjen e kinematografisë sonë, pas sukseseve që ka arritur QKK-ja dhe kinematografia jonë në tërësi, veçmas me nominimin e filmit “Shok” për çmimin “Oscar”.Ministri Kujtim Shala në ekspozenë e tij në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u shpreh se Qendra e Kinematografisë së Kosovës viteve të fundit ka realizuar projekte filmike që kanë arritur suksese të rëndësishme, me të cilat mburret Kosova dhe, së fundi, filmi “Shok”, i cili ia hapi rrugët filmit tonë dhe e radhiti në mesin e veprave më të mira të industrisë së filmit botëror. ,” thuhet në njoftimin e ministrisë së Kulturës, njofton Klan Kosova.
Më tej ministri Shala u shpreh se ky sukses i jashtëzakonshëm ka krijuar një standard të ri në industrinë tonë të filmit, ngase qëllimi është të bëhen realizime sa më të arrira, të cilat kërkojnë edhe angazhime shumë më profesionale dhe të mbështetura mjaftueshëm financiarisht.