Lajmet e fundit

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, Mexhid Yvejsi, bashkëpunëtor shumëvjeçar me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Yvejsi njëherit dha kontribut të çmuar me shkrimet e tij në periodikun fetar, në revistat si: ‘’Dituria Islame’’, ‘’Takvim’’, ‘’Edukata Islame’’ etj, njofton Klan Kosova.
Mexhid Yvejsi rrjedh nga një familje e njohur e frymëzuar me ndjenja fetare dhe kombëtare.
Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, studioi Gjuhë dhe Letërsi Angleze.
Me shkrime u mor që nga bankat e shkollës fillore ku shkroi poezi, prozë, kritikë letrare, polemika etj. Deri më sot ka botuar në trojet shqiptare, nëpër Europë, Amerikë deri në Australi, mbi 1000 punime të ndryshme.
Mëse dhjetë vjet jetoi dhe veproi në Perëndim, në Europë dhe në Amerikë.
Një kohë shërbeu si imam në Romë, Itali, dhe më vonë si ndihmë-sekretar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane për shtetet New York dhe New Jersey.
Ishte edhe arsimtar, reporter dhe gazetar i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane.
Po ashtu ishte pjesëmarrës me kumtesa, studime, në shumë Tryeza Shkencore, Kongrese, Tribuna, Konferenca Shkencore me karakter lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Bashkëpunoi rregullisht me shtypin fetar që botohet në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë.
Njëherit shkroi mbi 25 libra, duke përfshirë këtu edhe përkthime nga gjuha angleze me gjini të ndryshme: letrare, historike, monografi etj, njofton Klan Kosova.