Lajmet e fundit

Në një aksident automobilistik në vendin Peracica, në autostradën e Sllovenisë, në moshën 55 vjeçare, ka vdekur Aleš Debeljak - poet, eseist, kritik dhe sociolog i njohur slloven.
Në vitet e 1990-ta, si anëtar i rëndësishëm i elitës së re intelektuale në Slloveni, ishte përkrahës i të drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe shtetformim.
Debeljak ka botuar 14 libra esesh dhe 8 vëllime me poezi, ka përkthyer poezi të zgjedhura të John Ashbury dhe një libër nga sociologjia e shkencës, si dhe ka redaktuar disa antologji, transmeton Klan Kosova.
Në pëmbledhjen me poezi “Tihotapci” (Kontrabanduesit), botuar në 2011, një poezi ia ka kushtuar filmit "Skupljači perja" (Mbledhësit e puplave"), në të cilin rolin kryesor e luan Bekim Fehmiu.
Për punën e tij ka fituar shumë shpërblime ndërkombëtare, sllovene dhe jugosllave, përfshirë edhe shpërblimin e lexuesve për esenë më të mirë të dekadës në revistën amerikane World Literature Today, shpërblimin e Fondacionit Presern, kurse mbante titullin "Ambasador i Shkencës së Republikës së Sllovenisë".
Në eseistikë, Debeljak ishte ndër themeluesit e postmodernizmit slloven. Është marrë me studimin e letërsisë sllovene dhe kritikës letrare, ka shkruar për Europën dhe Bashkimin Europian, sllovenët dhe Slloveninë e shekullit 21.
Debeljak është ndër poetët dhe eseistët më të përkthyer sllovenë. Poezitë, shkrimet dhe intervistat e tij janë botuar në shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, katalonisht, italisht, rumanisht, në gjuhët e ish-Jugosllavisë, polonisht, çekisht, sllovakisht, lituanisht, finlandisht, hungarisht dhe japonisht.
Kishte diplomuar filozofinë dhe letërsinë krahasimtare në Fakultetin Filozofik në Lubjanë, kurse doktoraturën në sociologji të kulturës e kishte përfunduar në Universitetin Syracuse, në New York.
Ka qenë profesor në Northwestern University (SHBA) dhe Collège d’Europe (Poloni), ndërsa prej vitit 2004 ishte profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Lubjanë.
Në vëllimin me intervista të realizuara me intelektualë të njohur, “Krimi dhe Indiferenca” (Zëri, 1997), publicisti Blerim Shala e kishte përfshirë edhe intervistën me Aleš Debeljak.
Klan Kosova sjell një pjesë ku flet për Kosovën.
Ligjërata e Debeljak në konferencën “Gjeografia Intime e Europës” (2013)
Bashkëbisedim në Universitetin e Chicago-s