Është ndarë nga jeta gazetari i dikurshëm i sportit, Muharrem Bulliqi, me c'rast kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ngushëlluar familjen e tij.
Ai e ka vlerësuar punën e Bulliqit si gazetar në "Rilindja", si dhe për përkrahjen e tij për gjeneratën pasuese të gazetarëve sportivë të pasluftës.
"Muharrem Bulliqin do ta kujtojmë përherë për kontributin e tij, veçmas në periudhën e vështirë, të asaj që e njohim si koha e rezistencës në vitet e 90-ta, kur e pasqyroi në mënyrë të guximshme në opinion zhvillimin e sportit të pavarur të Kosovës nën kushtet e okupimit", shkruan Ademi.
"Ai ishte i përkushtuar ndaj profesionit të gazetarisë, derisa ishte afërt dhe i respektueshëm me të gjithë ata që e njohën".
Letra e plotë nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi:
E nderuara Familje e Muharrem Bulliqit!
Të nderuar gazetarë sportivë dhe anëtarë të SHGSK-së!
Me pikëllim e dhembje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të anëtarit tuaj të familjes dhe doajenit të gazetarisë sportive, Muharrem Bulliqi, andaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta.
Muharrem Bulliqi si pjesë e gjeneratës së shquar të gazetarëve në të përditshmen “Rilindja”, me dijen dhe punën e tij profesionale la gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë sportive të Kosovës, teksa ishte edhe përkrahës i madh i gjeneratës së re të gazetarëve sportivë pas luftës.
Muharrem Bulliqin do ta kujtojmë përherë për kontributin e tij, veçmas në periudhën e vështirë, të asaj që e njohim si koha e rezistencës në vitet e 90-ta, kur e pasqyroi në mënyrë të guximshme në opinion zhvillmin e sportit të pavarur të Kosovës nën kushtet e okupimit.
Ai ishte i përkushtuar ndaj profesionit të gazetarisë, derisa ishte afërt dhe i respektueshëm me të gjithë ata që e njohën.
Komuniteti i gazetarëve sportiv dhe sporti në përgjithësi humbi një tjetër penë të shquar, i cili u bashkohet në botën e përjetshme shumë doajenëve të gazetarisë sportive, të cilët me përvojën e tyre u shërbyen gjeneratave të reja.
I përjetshëm kujtimi për Muharrem Bulliqin!
Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.